Pirja e rregullt e çajit lidhet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut, sipas një studimi të kryer me afro 486 mijë të rritur në Kinë, të cilët u ndoqën për më shumë se nëntë vjet.
Gjatë studimit u regjistruan 14.863 raste të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vaskulare. Studiuesit zbuluan se konsumimi i rregullt i çajit shoqërohej me një rrezik rreth 11% më të ulët, ndërsa çaji i zi tregoi një lidhje më të qëndrueshme me këtë rezultat sesa çaji jeshil.
Megjithatë, temperatura duket se ka rëndësi. Personat që pinin çaj shumë të nxehtë kishin një rrezik më të lartë për sëmundje vaskulare, krahasuar me ata që nuk e konsumonin rregullisht.
Studime të mëparshme kanë lidhur gjithashtu konsumimin e pijeve mbi 55–60 gradë Celsius me rritjen e rrezikut të kancerit të ezofagut.
Autorët theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues, ndaj rezultatet nuk vërtetojnë se çaji i mbron drejtpërdrejt njerëzit nga sëmundjet.
Gjithashtu, sasia prej gjashtë deri në tetë filxhanësh në ditë, e lidhur me rrezikun më të ulët në disa analiza, nuk duhet të konsiderohet rekomandim për konsum. /Telegrafi/