Muja: Pesë mostra të mishit me parametra shqetësues, dy prej tyre nga “Apetiti”

Muja: Pesë mostra të mishit me parametra shqetësues, dy prej tyre nga “Apetiti”

Written by

in

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka bërë të ditur se pesë mostra të mishit të analizuara deri më tani kanë rezultuar me parametra shqetësues, ndërsa dy prej tyre lidhen me produktet e kompanisë “Apetiti”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në Kuvendin e Kosovës, Muja ka bërë të ditur se institucionet kanë nisur verifikimin e çdo dërgese të mishit të importuar nga Brazili, për periudhën nga 1 janari deri më 5 shtator.

““Më lejoni të ju tregoj që deri më tani kemi marr 240 analiza laboratorike, nga to ne kemi pranua rezultate për 111 prej tyre, 5 mostra përbejnë parametra shqetësues të cilat i kemi dërguar për verifikim jashtë vendit, 2 nga to ndërlidhen me ‘Apetitin’, tri nga to me operatorë të tjerë. 1.446 dërgesa të mishit të dërguar nga Brazili janë duke u verifikuar një nga një”, ka thënë ai.

Sipas Mujës, kontrollet nuk janë përqendruar vetëm te kompania “Apetiti”, por edhe te operatorët e tjerë që importojnë mish në Kosovë.

Ai ka theksuar se kjo kompani është ndër importuesit më të mëdhenj, por rreth 60 për qind e importeve realizohen nga operatorë të tjerë, të cilët po ashtu po i nënshtrohen analizave dhe verifikimeve.

Duke folur për ngarkesën prej 103 tonësh mish viçi të ngrirë, e cila u ndalua nga autoritetet e Malit të Zi për shkak të dyshimeve lidhur me afatin e skadimit dhe etiketimin, Muja ka treguar se institucionet e Kosovës janë njoftuar fillimisht për rastin përmes mediave.

Sipas tij, më 15 shtator janë informuar për çështjen, ndërsa një ditë më vonë, më 16 shtator, Autoriteti i Ushqimit dhe Veterinarisë i Kosovës (AUV) ka kontaktuar autoritetin përkatës të Malit të Zi për të kërkuar informacione.

“Na kanë njoftuar se çështja po trajtohet nga Dogana e tyre, jo nga Autoriteti i Ushqimit. Ne kemi pranuar informacionet e para, të cilat konfirmojnë dyshimet që autoritetet i kanë pasur se në këto dërgesa ka pasur, ose ka dyshime për ndërrim të etiketave. Deri më tani këtë informacion e kemi nga autoritetet e Malit të Zi”, ka thënë ministri.

Muja ka theksuar se, pavarësisht procedurave që po zhvillohen në Mal të Zi, institucionet e Kosovës kanë urdhëruar kontroll të plotë të çdo dërgese të mishit që nga shtatori.

“Që nga shtatori kemi urdhëruar kontroll 100 për qind të çdo dërgese”, ka deklaruar ai, duke shtuar se po pritet edhe raporti zyrtar nga autoritetet malaziase.

Sërish deputetja, Kadrijaj reagoi duke i thënë se nuk ka të drejtë të helmojë popullin me mish të skaduar.

“A do e fusni në listën e zezë kompaninë Apetiti? Edhe një ministër, se kompanitë vendore po i sulmoni me krejt arsenalin që e keni si qeveri. Njëjtë siç keni vepru me fabrikën e qumështit ‘Vita’ që për çdo ditë ka qenë atak i kësaj kompanie…”, ka thënë Kadrijaj. /Telegrafi/