Kosova gjeneron pjesën më të madhe të burimeve të saj ujore brenda territorit të vet, por një pjesë e konsiderueshme e këtij uji vjen në kohën e gabuar, në vendin e gabuar ose rrjedh tepër shpejt përmes lumenjve për të garantuar siguri ujore gjatë verave gjithnjë e më të thata. Ndërsa ndryshimet klimatike po e bëjnë reshjen më të paparashikueshme, problemi nuk po shihet vetëm në rezervuarë dhe rrjetet e ujësjellësit. Ai po manifestohet edhe nën sipërfaqen e lumenjve të Kosovës, në habitatet dhe komunitetet e gjalla që varen prej tyre.
Në gusht të vitit 2023, një grup studiuesish analizoi 20 lokacione përgjatë lumit Ibër dhe degëve të tij në Kosovë.
Duke përdorur një protokoll të standardizuar të monitorimit me elektropeshkim, studiuesit regjistruan 23 taksa peshqish dhe 1,674 individë.
Por, gjetjet ishin shumë më shqetësuese sesa numri i specieve mund të sugjeronte.
Studimi, i publikuar në vitin 2024 në revistën shkencore Ecologica Montenegrina, konstatoi se disa karakteristika të komuniteteve të peshqve tregonin degradim serioz: dendësi të ulët të popullatave, diversitet të kufizuar, shumë pak dëshmi të riprodhimit dhe mungesë të disa specieve që përdoren si tregues të gjendjes ekologjike. Studiuesit identifikuan ndotjen, barrierat ndaj lëvizjes së peshqve dhe digat e hidrocentraleve ndër faktorët kryesorë që po modifikojnë komunitetet e peshqve në një pjesë të gjerë të pellgut të Ibrit.
Ky është një dimension i debatit për ujin që në Kosovë shpesh mbetet nën sipërfaqe.
Diskutimi publik zakonisht intensifikohet kur bien nivelet e rezervuarëve, kur shfaqen reduktimet e ujit, kur bujqësia përballet me mungesë të ujitjes ose kur reshjet e forta shkaktojnë vërshime.
Por, sfida ujore e Kosovës fillon shumë më herët. Fillon me atë që ndodh me shiun pasi bie në tokë.
Sa shpejt largohet? Sa mund të ruhet? Sa infiltron në tokë? Sa duhet të mbetet në lumenj për të ruajtur habitatet dhe proceset ekologjike?
Dhe, mbi të gjitha, a po e menaxhon Kosova një prej burimeve të saj më të rëndësishme natyrore në një kohë kur klima po e bën atë gjithnjë e më të paparashikueshëm?
Paradoksi i Kosovës: reshje intensive, por vera gjithnjë e më të thata
Liqeni i Vërmicës i shterur dhe pa ujë gjatë sezonit të verës (Foto: Butrint Avdyli)
Në Vlerësimin e Ndikimit të Ndryshimeve Klimatike dhe Sigurisë për vitin 2024, NATO e përfshiu praninë e saj në Kosovë si një nga tri rastet studimore gjeografike mbi ndikimin e klimës në operacionet dhe misionet e Aleancës.
Raporti paralajmëron se kombinimi i temperaturave më të larta, rrezikut më të madh nga zjarret, reduktimit të reshjeve dhe rritjes së popullsisë mund të bëjë që deri në vitin 2050, katër nga pesë pellgjet ujore të Kosovës të përballen me stres ose mungesë uji. Sipas NATO-s, presioni mund të ndikojë furnizimin me ujë si për popullsinë lokale, ashtu edhe për personelin e KFOR-it dhe të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s.
Ky paralajmërim nuk vjen në një vakum.
Të dhënat që Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, IHMK, ia ka dërguar Telegrafit tregojnë se regjimi i reshjeve në Kosovë po ndryshon.
“Krahasuar me periudhën referuese 1960–2015, mesatarja vjetore e reshjeve në Kosovë gjatë periudhës 2015–2024 ka rënë nga 763.1 mm në 719.4 mm”, thuhet në përgjigjen e IHMK-së për Telegrafin.
Kjo përfaqëson një zvogëlim prej 43.7 milimetrash ose 5.7 për qind.
Por, institucioni paralajmëron se problemi nuk është vetëm sasia totale e reshjeve.
“Ngjarjet me reshje intensive po bëhen më të shpeshta dhe më të përqendruara në intervale të shkurtra kohore”, thotë IHMK në përgjigjen për Telegrafin.
Pasojat janë të shumëfishta.
Sipas institutit, reshjet intensive rrisin rrezikun e përmbytjeve të shpejta, sidomos në pellgje të vogla dhe zona malore, si dhe rrezikun e përmbytjeve urbane kur sistemet e kanalizimit nuk arrijnë ta përballojnë intensitetin e ujit.
Njëkohësisht, shtohet rrjedhja sipërfaqësore dhe zvogëlohet infiltrimi në tokë dhe rimbushja e ujërave nëntokësore. Rriten gjithashtu erozioni, transporti i sedimenteve në lumenj dhe rreziku i rrëshqitjeve të dheut.
Në anën tjetër të këtij ekstremi janë thatësirat.
“Të dhënat e IHMK-së dhe analizat klimatike tregojnë se thatësirat në Kosovë po bëhen më të shpeshta dhe më të theksuara”, thotë instituti.
IHMK thekson se kjo nuk nënkupton që çdo vit është më i thatë se ai paraprak. Tendenca kryesore, sipas institutit, është rritja e variabilitetit klimatik: periudha më të gjata pa reshje ndërpriten nga episode reshjesh intensive.
Në praktikë, kjo krijon një paradoks.
Kosova mund të ketë shumë ujë në një periudhë shumë të shkurtër dhe tepër pak ujë atëherë kur kërkesa është më e madhe.
Shiu bie në Kosovë, por uji largohet shpejt
Reshjet e shiut në Kosovë (Foto: Telegrafi)
Prof. Dr. Skender Bublaku, profesor i hidrologjisë në UBT, i cili për këtë storje analizoi menaxhimin e ujërave të reshjeve dhe sigurinë ujore në Kosovë, thotë se problemi fillon te vetë mënyra si vendi e trajton ujin që merr nga reshjet.
“Institucionet e Kosovës duhet të fokusohen më shumë në matjen, mbledhjen, ruajtjen dhe shfrytëzimin e ujërave të reshjeve, në vend që ato vetëm të largohen shpejt nga territori”, tha Skender Bublaku për Telegrafin.
Sipas tij, rreth 90 për qind e burimeve ujore të Kosovës gjenerohen brenda territorit të vendit, kryesisht nga reshjet, ndërsa vetëm rreth 10 për qind vijnë nga jashtë.
Por, pozita gjeografike, relievi dhe sipërfaqja relativisht e vogël bëjnë që një pjesë e konsiderueshme e ujit të largohet shpejt drejt tri pellgjeve detare: Adriatikut, Detit të Zi dhe Egjeut.
Reshjet mesatare mujore në Prishtinë: krahasimi i periudhës historike me periudhën 2001–2023 (Analiza: Skender Bublaku)
Sipas të dhënave të Strategjisë së Ujërave të Kosovës të analizuara nga Bublaku, rrjedhja vjetore e përgjithshme vlerësohet në rreth 3.608 miliardë metra kub ujë.
Por, shpërndarja është larg së qenit e barabartë.
Drini i Bardhë kontribuon me rreth 2.2 miliardë metra kub në vit, ose afërsisht 61 për qind të rrjedhjes së përgjithshme. Ibri kontribuon me rreth 771 milionë metra kub, Morava e Binçës me 330 milionë dhe Lepenci me rreth 307 milionë.
Bublaku thotë se problemi bëhet edhe më i qartë kur llogaritet sasia teorike e ujit në raport me popullsinë.
“Problemi i Kosovës nuk lidhet vetëm me sasinë e përgjithshme të ujit në nivel kombëtar, por veçanërisht me shpërndarjen e tij hapësinore dhe sezonale”, tha ai për Telegrafin.
Disponueshmëria e ujit sipas pellgjeve kryesore
Bazuar në popullsinë e regjistruar në Censusin 2024, disponueshmëria teorike kombëtare është rreth 2,251 metra kub për banor në vit. Por Drini i Bardhë ka rreth 3,861 metra kub për banor, ndërsa Ibri vetëm rreth 1,068.
Kjo do të thotë se Drini i Bardhë ka rreth 3.6 herë më shumë ujë teorikisht të disponueshëm për banor sesa Ibri.
“Pellgu i Ibrit, ku është përqendruar pjesa më e madhe e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik, ka vetëm rreth 1,068 m³ për banor në vit”, tha Bublaku, duke e cilësuar këtë si një nga dallimet më të rëndësishme strukturore të sigurisë ujore në Kosovë. Skender Bubalku per Telegrafin
Problemi, pra, nuk është thjesht pyetja se sa ujë ka Kosova.
Është ku gjendet ai ujë, kur është i disponueshëm dhe sa mund të ruhet për periudhën kur nevojitet.
Vetëm një e gjashta e rrjedhjes vjetore mund të mbahet teorikisht në rezervuarë
Liqeni i Radoniqit, liqeni më i madh në Kosovë (Foto: Facebook)
Në këtë pikë shfaqet një tjetër kufizim.
Sipas Bublakut, kapaciteti i përgjithshëm teorik i akumulimeve ekzistuese në Kosovë është rreth 559 milionë metra kub.
Kjo përfaqëson vetëm rreth 15.5 për qind të rrjedhjes vjetore prej 3.608 miliardë metrash kub.
“Kapaciteti teorik i rezervuarëve është i barabartë me rreth një të gjashtën e ujit që gjenerohet dhe rrjedh gjatë një viti mesatar”, tha Bublaku për Telegrafin.
Edhe kjo është vetëm një shifër teorike.
Reshjet vjetore dhe trendi rritës, 2002–2023 (Analiza: Skender Bublaku)
Sasia që mund të përdoret realisht mund të jetë më e ulët për shkak të sedimentimit, avullimit, niveleve operative, kufizimeve teknike dhe nevojës për të lënë ujë të mjaftueshëm në sistemet lumore.
Dhe ndërsa një pjesë e ujit largohet pa u akumuluar, një tjetër pjesë humbet brenda vetë sistemit të furnizimit.
Sipas të dhënave të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit të analizuara nga Bublaku, sistemet publike prodhuan rreth 200.5 milionë metra kub ujë gjatë vitit 2024.
Vetëm 73.9 milionë metra kub u faturuan dhe u regjistruan si të përdorur, ndërsa rreth 126.6 milionë metra kub, ose afërsisht 63 për qind, u klasifikuan si ujë pa të hyra.
Megjithatë, kjo shifër nuk duhet lexuar sikur 63 për qind e ujit thjesht rrjedh nga gypat. Kategoria e ujit pa të hyra mund të përfshijë humbje fizike, por edhe ujë të pafaturuar ose probleme me matjen dhe evidentimin.
Bublaku vlerëson se përdorimi i përgjithshëm i ujit për furnizim publik, ujitje dhe industri arrin afërsisht 214–224 milionë metra kub në vit, vetëm rreth 6–7 për qind e rrjedhjes historike vjetore.
Por këtu, thotë ai, nevojitet kujdes.
Jo çdo metër kub që nuk shfrytëzohet nga njerëzit është “ujë i humbur”.
Një pjesë e ujit duhet të depërtojë në tokë. Një pjesë duhet të ushqejë ujërat nëntokësore. Dhe një pjesë duhet të vazhdojë rrjedhën nëpër lumenj për të mbajtur gjallë ekosistemet.
Kosova, sipas tij, nuk mund dhe as nuk duhet ta kapë të gjithë rrjedhjen.
Kjo e çon debatin për rezervuarët në një territor shumë më kompleks.
Nën sipërfaqen e ujit: biodiversiteti që rrallë hyn në debatin për sigurinë ujore
Lumi Iber në Mitrovicë të Jugut, Kosovë (Foto: Telegrafi)
Pellgu i Ibrit, i cili sipas të dhënave të Bublakut ka një nga nivelet më të ulëta të disponueshmërisë teorike të ujit për banor, është njëkohësisht habitat i një komuniteti të rëndësishëm të specieve ujore.
Ndotja nuk ishte i vetmi problem.
Sipas studimit, barrierat ndaj lëvizjes së peshqve dhe digat hidroenergjetike ishin ndër faktorët më të rëndësishëm të degradimit.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për debatin rreth ndërtimit të kapaciteteve të reja ujore.
Kosovës mund t’i duhet të mbajë më shumë ujë për periudhat e thata, por ndërhyrjet që ndërpresin vazhdimësinë e lumenjve mund të sjellin kosto të reja për habitatet dhe speciet.
Edhe Drini i Bardhë, pellgu më i pasur me ujë në Kosovë, ka një biodiversitet të rëndësishëm.
Për Viktor Berishajn, Senior Policy Officer në EuroNatur, raste të tilla tregojnë pse siguria ujore dhe biodiversiteti nuk mund të trajtohen si dy çështje të ndara.
“Gjendja e ekosistemeve ujore dhe e biodiversitetit të ujërave të ëmbla në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor është shqetësuese”, tha Viktor Berishaj për Telegrafin.
Ai përmend ndotjen, fragmentimin e lumenjve, hidrocentralet, urbanizimin, nxjerrjen e zhavorrit, menaxhimin e dobët të ujërave të zeza dhe ndryshimet klimatike ndër presionet kryesore.
“Shëndeti i ekosistemeve ujore nuk është vetëm çështje mjedisore, është çështje e sigurisë ujore, shëndetit publik, bujqësisë dhe zhvillimit afatgjatë”, tha Berishaj.
Çfarë i bën një regjim më ekstrem i ujit jetës në lumenj?
Rezervat natyrore të ujit në burimin e Istogut, Kosovë (Foto: Butrint Avdyli)
Problemi ekologjik nuk lidhet vetëm me ndotjen ose ndërtimin e digave.
Edhe vetë ndryshimi i regjimit të ujit mund t’i vendosë ekosistemet nën presion.
Kur reshjet e mëdha bien për një periudhë shumë të shkurtër, IHMK thotë se shtohet rrjedhja sipërfaqësore, erozioni dhe transporti i sedimenteve në lumenj.
Kjo mund të ndryshojë karakteristikat fizike të habitatit lumor. Në anën tjetër, periudhat më të gjata pa reshje ulin prurjet dhe reduktojnë hapësirën e disponueshme për organizmat ujorë.
Pikërisht për këtë arsye Bublaku paralajmëron se mbajtja e ujit nuk mund të bëhet duke shpërfillur rrjedhjet ekologjike.
Ndërsa rezervuarët mund të ndihmojnë në ruajtjen e ujit për muajt e thatë, lumenjve u duhet një sasi e mjaftueshme uji për transportin e sedimenteve, ruajtjen e cilësisë dhe funksionimin e habitateve.
Viktor Berishaj e vendos problemin edhe më gjerë. “Nuk mund të kemi ekosisteme të shëndetshme pa ujë të shëndetshëm”, tha ai për Telegrafin.
Sipas Berishajt, lumenjtë, ligatinat dhe zonat e përmbytjes nuk janë vetëm habitate.
Ato “ruajnë dhe pastrojnë ujin, zbusin përmbytjet, ndihmojnë në rimbushjen e ujërave nëntokësore dhe mbajnë lagështinë në periudhat e thatësirës”.
“Kur lumenjtë degradohen, ligatinat thahen ose brigjet betonizohen, humbet jo vetëm biodiversiteti, por edhe aftësia natyrore e peizazhit për t’u përshtatur ndaj fenomeneve ekstreme”, tha Berishaj.
Beton apo natyrë: ku duhet ta ruajë Kosova ujin?
Një qytetare me çadër në motin me shi rrugëve të Prishtinës (Foto: Telegrafi)
Këtu shfaqet një nga dilemat më të vështira të politikës ujore.
Nëse Kosova duhet të ruajë më shumë ujë gjatë dimrit dhe pranverës për ta përdorur në verë, a duhet përgjigjja të jetë ndërtimi i më shumë rezervuarëve?
Bublaku mendon se rritja e kapaciteteve të akumulimit është e domosdoshme.
Ai propozon rehabilitimin dhe rritjen e kapacitetit efektiv të rezervuarëve ekzistues, ndërtimin e akumulimeve të reja dhe rezervuarëve lokalë, zhvillimin e baseneve të retencionit dhe infiltrimit, rimbushjen e kontrolluar të ujërave nëntokësore dhe ruajtjen e një pjese të prurjeve dimërore dhe pranverore për përdorim në verë.
Por përgjigjja e tij nuk është vetëm beton.
“Zgjidhjet e bazuara në natyrë mund të kontribuojnë në rritjen e sigurisë ujore të Kosovës duke ngadalësuar rrjedhjen, rritur infiltrimin, zvogëluar vërshimet dhe krijuar rezerva për periudhat e thata”, tha Bublaku për Telegrafin.
Kosova, sipas tij, ka relativisht pak ligatina natyrore, ndër të tjera për shkak të relievit kryesisht kodrinor-malor.
Prandaj ai rekomandon restaurimin e ligatinave ekzistuese, zonave natyrore të përmbytjes dhe brezave breglumorë, së bashku me basene retencioni, hapësira të gjelbra urbane dhe rimbushje të kontrolluar të ujërave nëntokësore.
“Këto masa duhet të plotësojnë, dhe jo të zëvendësojnë, akumulimet dhe infrastrukturën tradicionale ujore”, thotë Bublaku.
Edhe Berishaj e kundërshton idenë se zgjedhja duhet të jetë ose infrastrukturë, ose natyrë.
“Një ligatinë funksionale, një lum me rrjedhë natyrore ose një pyll përgjatë brigjeve nuk janë vetëm habitate për biodiversitetin. Ato janë infrastrukturë natyrore”, tha Viktor Berishaj për Telegrafin.
Për një kohë të gjatë, sipas tij, politika ujore është mbështetur në idenë se problemet duhet të zgjidhen përmes infrastrukturës gri.
“Tash po kuptojmë se në shumë raste natyra ofron zgjidhje më efikase, më të qëndrueshme dhe shpesh më ekonomike në shikim afatgjatë”, tha Berishaj.
Kjo, shton ai, nuk nënkupton eliminimin e infrastrukturës tradicionale, por projektimin e saj në mënyrë që “të plotësojë dhe jo të zëvendësojë funksionimin e ekosistemeve”.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se studimi i Ibrit identifikon digat dhe barrierat ndër faktorët që kanë kontribuar në degradimin e komuniteteve të peshqve.
Pra, pyetja nuk është vetëm nëse Kosovës i duhen më shumë akumulime.
Pyetja është ku mund të ndërtohen, sa ujë mund të ruhet në mënyrë të qëndrueshme dhe si mund të shmanget dëmtimi i lumenjve që vetë janë pjesë e sistemit të sigurisë ujore.
Strategji në letër, boshllëqe në zbatim
Përmbytjet në Kosovë, pasojë e mos-menaxhimit të duhur të ujërave të shiut (Foto: Elvis Perlleshi)
Kosova tashmë ka një Strategji Shtetërore të Ujërave për periudhën 2017–2036.
Por, për Bublakun, problemi kryesor është se zbatimi nuk është shoqëruar me një bazë mjaftueshëm të fortë dhe të unifikuar të të dhënave. Ai veçon mungesën e një bilanci të ri kombëtar të ujërave.
“Paralelisht duhet të përgatitet një bilanc i ri kombëtar i ujërave, me metodologji të unifikuar dhe rezultate sipas pellgjeve dhe nënpellgjeve”, tha Bublaku për Telegrafin.
Sipas tij, të dhënat për prurjet, rrjedhjen vjetore, kapacitetet akumuluese dhe disponueshmërinë e ujit për banor ndryshojnë ndërmjet dokumenteve zyrtare.
Kjo krijon paqartësi në planifikim.
“Të dhënat historike, një pjesë e të cilave u përkasin dekadave të mëparshme, nuk mund të përdoren më si bazë e vetme për planifikim”, tha Bublaku, duke përmendur ndryshimet në temperaturë, reshje, mbulesën e borës dhe regjimin sezonal të rrjedhjeve.
Për të, hapi i parë duhet të jetë monitorimi.
“Masa e parë dhe më urgjente duhet të jetë monitorimi i vazhdueshëm i prurjeve lumore”, tha ai.
Bublaku propozon një program shtetëror fillestar prej së paku pesë vjetësh, me rehabilitim dhe zgjerim të rrjetit hidrometrik, instalim të stacioneve automatike, transmetim të të dhënave në kohë reale dhe matje të prurjeve të ulëta, mesatare dhe të larta.
Por, problemi i zbatimit nuk lidhet vetëm me hidrologjinë.
Berishaj thotë se çështjet e ujit, klimës dhe biodiversitetit janë të pranishme në politikat e Kosovës dhe në procesin e integrimit evropian, por “ende nuk trajtohen me peshën dhe urgjencën që kërkojnë”. j
“Megjithatë, sfida kryesore nuk është vetëm miratimi i ligjeve, por zbatimi i tyre”, tha ai për Telegrafin.
Sipas Berishajt, kjo nënkupton planifikim në nivel pellgu lumor, monitorim të cilësisë së ujit, mbrojtje reale të habitateve, kontroll të ndotjes dhe ndalim të projekteve që shkaktojnë dëme serioze në ekosisteme.
Ai thotë se Kosova mund të nxjerrë një mësim të rëndësishëm nga praktikat e Bashkimit Evropian: uji duhet të menaxhohet sipas pellgjeve dhe jo vetëm sipas kufijve administrativë.
Për Berishajn, prioritetet përfshijnë zbatimin e plotë të menaxhimit të pellgjeve lumore, trajtimin më të mirë të ujërave të zeza, kontrollin e ndotjes, forcimin e vlerësimeve mjedisore, identifikimin dhe mbrojtjen e zonave me biodiversitet të lartë dhe rritjen e kapaciteteve institucionale për monitorim dhe zbatim.
“Harmonizimi me BE-në nuk duhet parë vetëm si detyrim teknik, por si mundësi për të mbrojtur burimet natyrore mbi të cilat varet zhvillimi i vendit”, tha ai.
Siguria ujore nuk mund të ndërtohet duke lënë lumenjtë pa jetë
Rezervat ujore në Liqenin e Sferkës, Klinë, Kosovë (Foto: Elvis Perlleshi)
IHMK po regjistron një klimë me periudha më të gjata pa reshje dhe episode më intensive shiu.
NATO paralajmëron se shumica e pellgjeve ujore të Kosovës mund të përballen me stres ose mungesë uji deri nga mesi i shekullit.
Analiza e Bublakut tregon një vend ku rreth 90 për qind e burimeve ujore gjenerohen brenda territorit, por ku kapaciteti teorik i rezervuarëve është ekuivalent me vetëm rreth një të gjashtën e rrjedhjes vjetore.
Ndërkohë, studimet shkencore në Ibër dhe Drinin e Bardhë tregojnë se lumenjtë që bartin këtë ujë nuk janë thjesht kanale hidrologjike. Ata janë ekosisteme komplekse dhe në disa raste tashmë të dëmtuara.
Për Berishajn, vazhdimi i degradimit do të ketë pasoja që shkojnë përtej humbjes së specieve.
“Nëse degradimi i lumenjve, ligatinave dhe habitateve të ujërave të ëmbla vazhdon, rreziqet afatgjata janë serioze”, tha ai.
Ai përmend rënien e cilësisë dhe sasisë së ujit, rritjen e rrezikut nga përmbytjet dhe thatësirat, dëmtimin e bujqësisë, humbjen e shërbimeve natyrore dhe rritjen e kostove publike për infrastrukturë artificiale.
“Një lum i dëmtuar nuk është vetëm humbje për natyrën, është dobësim i qëndrueshmërisë së shoqërisë”, tha Berishaj.
Të mësosh ta ruash shiun
Shkretëtira e Kishnicës në Komunën e Graçanicës, e krijuar nga mungesa e ujit në Liqenin e Badovcit, Graçanicë, Kosovë (Foto: Besnik Fetiu)
Problemi i ujit në Kosovë nuk fillon vetëm kur niveli i një rezervuari bie. Nuk fillon vetëm kur një komunë vendos reduktime. Nuk fillon kur fermerëve u mungon ujitja. Dhe as kur një lumë del nga shtrati pas disa orësh reshjesh intensive. Ai fillon kur shiu prek tokën.
Në atë moment fillon një zinxhir procesesh që përcakton nëse uji do të rrjedhë menjëherë jashtë territorit, do të depërtojë në tokë, do të rimbushë ujërat nëntokësore, do të ruhet për muajt e thatë apo do të mbetet në lumë për të mbështetur jetën që varet prej tij.
Bublaku thotë se Kosovës i duhet një ndryshim themelor në mënyrën si e mendon këtë burim: më shumë matje, më shumë ruajtje, më shumë planifikim dhe më pak mbështetje në të dhëna të vjetra.
IHMK paralajmëron se klima po e ngushton hapësirën për vonesa.
Berishaj argumenton se përgjigjja nuk mund të vijë duke sakrifikuar lumenjtë dhe ekosistemet në emër të sigurisë ujore.
Dhe studimet në terren tregojnë pse.
Në Ibër, studiuesit tashmë po regjistrojnë komunitete të degraduara të peshqve.
Në Drinin e Bardhë, shkenca po vazhdon të zbulojë një diversitet biologjik që ende nuk është dokumentuar plotësisht.
Në Bistricën e Shalës dhe Mirushë po regjistrohen specie ujore që deri vonë nuk dihej se ekzistonin në Kosovë.
Kjo e bën ekuacionin më kompleks, por edhe më të qartë.
Kosova duhet të ruajë më shumë ujë. Por duhet të ruajë edhe lumenjtë.
Një pjesë e reshjeve duhet të akumulohet. Një pjesë duhet të depërtojë në tokë dhe të ushqejë ujërat nëntokësore.
Dhe një pjesë duhet të vazhdojë rrjedhën e saj, duke mbajtur gjallë peshqit, insektet ujore, habitatet përgjatë brigjeve dhe proceset ekologjike që varen prej saj.
Sfida nuk është të zgjedhim mes ujit për njerëzit dhe ujit për natyrën. Sfida është të ndërtojmë një sistem ku të dyja mund të mbijetojnë.
Sepse në një klimë ku uji po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm, shiu që nuk menaxhohet sot mund të bëhet uji që do të na mungojë nesër.
/Telegrafi/
* Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit ‘Earth Journalism Network’s Western Balkans Story Grant 2026’, implementuar nga EJN.