Në fjalimin e tij në seancën plenare të Samitit të 13-të të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, e të cilin e ka bërë publik në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka këtë status.
“Ne kemi bërë atë që na përkiste vetëm neve të bënim. Aplikimi i Kosovës po pret, që nga dhjetori i vitit 2022, për një vendim që i përket ekskluzivisht BE-së. Deri atëherë, mbetemi i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat”, deklaroi Kurti.
Ai u bëri thirrje liderëve evropianë që të kërkojnë opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës dhe të avancojnë procesin e integrimit të saj.
Sipas Kurtit, blerja e stabilitetit në kurriz të demokracive fqinje është dëshmuar mit i rrezikshëm, sepse, siç tha, ata që krijojnë jostabilitet nuk mund të garantojnë stabilitet.
Kryeministri tha se Kosova i qëndron vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe se vlerësimet e pavarura e rendisin ndër vendet me përparimin më të madh demokratik në Evropën Juglindore.
Ai theksoi se Kosova i ka zbatuar të gjitha sanksionet e BE-së kundër Rusisë që nga dita e parë, duke nënvizuar orientimin evropian të vendit.
Kurti foli edhe për përfitimet që sjell integrimi gradual në tregun evropian, duke përmendur anëtarësimin në SEPA, lehtësimin e tregtisë përmes korridoreve të gjelbra dhe uljen e kostove të komunikimit përmes nismës “Roam Like at Home”.
Sipas tij, SEPA pritet t’u kursejë qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës rreth 58 milionë euro në vit.
Në fjalimin e tij, Kurti u ndal edhe te siguria në rajon, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë.
Ai tha se sulmet ndaj infrastrukturës kritike dhe institucioneve demokratike duhet të trajtohen si çështje që prekin sigurinë e gjithë Evropës.
Kurti përmendi Milan Radoiçiqin, të cilin e cilësoi përgjegjës për sulmin në Banjskë, duke thënë se ai vazhdon të jetë i lirë dhe i mbrojtur nga aparati shtetëror serb.
“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”, tha Kurti.
Kryeministri kërkoi gjithashtu vëmendjen e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit për të drejtat e pakicave në rajon, duke veçuar pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai tha se shqiptarët në këtë pjesë të Serbisë po shtyhen gradualisht jashtë institucioneve dhe jetës publike, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë qëndrimin e tyre në vendlindje.
Kurti theksoi se dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë ndër vlerat themelore që ndajnë vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian.
Në përfundim, ai vlerësoi rëndësinë e Procesit të Berlinit si një mekanizëm bashkëpunimi rajonal dhe si një mundësi për avancimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Burimi: RTKLive
