Haxhiu:Kuvendit po i rikthehet gjallëria, formohet komisioni për Bordin e RTK-së

Haxhiu:Kuvendit po i rikthehet gjallëria, formohet komisioni për Bordin e RTK-së

Written by

in

Përmes një postimi, Haxhiu ka vlerësuar se Kuvendit po i rikthehet dinamika e punës parlamentare, duke theksuar se gjatë seancës janë zhvilluar diskutime për çështje të ndryshme, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar.

“Kuvendit po i rikthehet gjallëria. Në seancën e sotme u ngritën dhe u sqaruan një sërë çështjesh politike dhe me interes publik, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka njoftuar gjithashtu se Komisioni Ad Hoc është formuar për të zhvilluar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së. Sipas saj, dy pozita janë të dedikuara për komunitetin shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.

Kryetarja e Kuvendit ka theksuar rëndësinë e kompletimit të Bordit të transmetuesit publik, duke nënvizuar se institucioni ligjvënës do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të zhvillohet brenda afateve dhe në mënyrë transparente.

“Si transmetues publik RTK-ja duhet të ketë një Bord të kompletuar, dhe Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente”, ka theksuar Haxhiu.

Formimi i këtij komisioni shënon një hap drejt përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Bordit të RTK-së, me synimin për të siguruar funksionimin e plotë të organit drejtues të transmetuesit publik.

Burimi: RTKLive