Saudi Aramco evakuon punonjësit nga selia pas sulmeve të Huthëve

Saudi Aramco evakuon punonjësit nga selia pas sulmeve të Huthëve

Written by

in

Kompania saudite e naftës, Saudi Aramco, ka urdhëruar evakuimin e punonjësve nga selia e saj në Dhahran, pas sulmeve të kryera nga rebelët Huthi në Jemen.

Sipas raportimeve, punonjësve u është kërkuar të largohen nga ndërtesa dhe të vazhdojnë punën nga shtëpia. Ky është një nga hapat e parë të këtij lloji që nga fillimi i luftës me Iranin.

Në fillim të këtij muaji, Huthët goditën ndërtesën e selisë së kompanisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Pas sulmit, në kompleks shpërtheu një zjarr, të cilin autoritetet saudite e përshkruan si të kufizuar.

Tensionet janë përshkallëzuar edhe pas sulmeve të fundit në territorin saudit. Të mërkurën në mbrëmje, Aeroporti Ndërkombëtar King Fahd në Dammam u godit, ndërsa dy persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën. Viktimat ishin një shtetas saudit dhe një shtetas indian.

Huthët kanë pretenduar se gjatë 48 orëve të fundit kanë shënjestruar edhe aeroportin në Abha, Ministrinë e Mbrojtjes në Riad dhe objektet e Aramcos në Yanbu. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet saudite.

Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se kishte interceptuar dronë mbi Riad dhe Medinë.

Evakuimi i punonjësve të Aramcos vjen një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit u kërkoi diplomatëve amerikanë dhe familjeve të tyre të largoheshin nga përfaqësitë diplomatike në Arabinë Saudite.

Situata e sigurisë në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa Uashingtoni deri më tani ka refuzuar kërkesat saudite për t’u përfshirë drejtpërdrejt në luftën kundër Huthëve. /Telegrafi/