​Kurti: Radoiçiq që ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën, kriminel që bredh i lirë dhe mbrohet nga Serbia

​Kurti: Radoiçiq që ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën, kriminel që bredh i lirë dhe mbrohet nga Serbia

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Ai në fjalën e tij në Samitin e Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi, tha se Kosova vepron sikur vend anëtar. Njëherësh kërkoi edhe anëtarësimin në NATO.

Kryeministri Kurti kritikoi sjelljen e Serbisë ndaj Kosovës, duke nënvizuar se ajo ka përdorur metoda armiqësore sikur Rusia. Ai rikujtoi se krimineli Milan Radoiçiq sot është i lirë dhe mbrohet nga Serbia.

“Në Kosovë, një fqinj ka përdorur të njëjtat metoda, për të njëjtat qëllime, kundër shtetit tonë. Muajin e kaluar u bënë tre vjet nga sulmi terrorist në fshatin verior, Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë sonë, Afrim Bunjaku. Muajin e ardhshëm, bëhen dy vjet nga shpërfaqja e luftës kinetike nëpërmjet një sulmi ndaj infrastrukturës kritike, me shpërthimin e kanalit të furnizimit me ujë të Ibër-Lepencit në fshatin verior, Varagë. Të dyja sulmet ishin bërë për të qenë të mohueshme. Njeriu që ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën, Milan Radoiçiq, një kriminel dhe zgjatim lokal, bredh ende i lirë, hapur në publik, i mbrojtur nga aparati i njëjtë shtetëror”, tha Kurti.

Ai tha se sulmet e tilla ndaj një demokracie janë sulm ndaj gjithë Evropës.

“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”.

Kurti bëri thirrje për reagim edhe ndaj gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi. Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut janë të parat në mesin e vlerave që duhet t’i ndajmë së bashku”, tha Kurti.