Zelensky: Nuk kam asgjë personale me Trumpin

Zelensky: Nuk kam asgjë personale me Trumpin

Written by

in

Zelensky: Nuk kam asgjë personale me Trumpin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se nuk ka asgjë personale mes tij dhe presidentit amerikan, Donald Trump, pavarësisht tensioneve të fundit mes dy vendeve.

Në një intervistë për CNN nga Kievi, Zelensky paralajmëroi se afrimi me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe heqja e sanksioneve ndaj Moskës vetëm do ta forconin Rusinë.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit janë përkeqësuar gjatë javëve të fundit, pas disa zhvillimeve që kanë nxitur shqetësime në Ukrainë për qëndrimin e administratës amerikane ndaj Rusisë.

Zelensky kishte kritikuar më herët Trumpin, duke e cilësuar atë si “në anën e gabuar të historisë”, pas njoftimit për një marrëveshje për blerjen e naftës ruse. Vendimi për lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë dhe kufizimet në qasjen e forcave ukrainase në shërbimin satelitor të internetit Starlink kanë shtuar gjithashtu shqetësimet në Kiev.

Megjithatë, në intervistën e fundit, presidenti ukrainas u përpoq të ulte tonet, duke theksuar se kundërshtimet e tij lidhen me politikat ndaj Rusisë dhe jo me marrëdhëniet personale me homologun amerikan.

“Pozicioni im ndaj Putinit është shumë i qartë. Mendoj se, nëse i heqim sanksionet, do ta bëjmë atë më të fortë. Nuk është diçka personale mes meje dhe presidentit Trump”, deklaroi Zelensky.

Ai shprehu gjithashtu skepticizëm për gatishmërinë e Putinit për t’i dhënë fund luftës, duke e akuzuar presidentin rus se po luan me jetën e njerëzve.

Sipas Zelenskyt, Ukraina pret nga partnerët e saj që të mos i krijojnë Rusisë mundësi për t’u forcuar dhe për të vazhduar agresionin.

Ndërkohë, Trump ka deklaruar se administrata e tij është më afër se kurrë zgjidhjes së luftës në Ukrainë. Megjithatë, sulmet ruse me dronë dhe raketa ndaj territorit ukrainas vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje mbi perspektivën e një marrëveshjeje paqeje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali