“Ki kujdes në rrugë”, mesazhi i fundit i bashkëshortes së Diogo Jotas para aksidentit tragjik

“Ki kujdes në rrugë”, mesazhi i fundit i bashkëshortes së Diogo Jotas para aksidentit tragjik

Written by

in

“Ki kujdes në rrugë”, mesazhi i fundit i bashkëshortes së Diogo Jotas para aksidentit tragjik

Bashkëshortja e futbollistit portugez Diogo Jota, Rute Cardoso, ka rrëfyer momentet e dhimbshme të natës kur bashkëshorti i saj humbi jetën në një aksident trafiku, së bashku me vëllanë e tij më të vogël, Andre Silva.

Në librin biografik “Diogo Jota: Forever in Our Hearts”, Rute ka zbuluar detaje nga komunikimi i tyre i fundit, si dhe momentet kur kuptoi se futbollisti nuk do të kthehej më në shtëpi.

Jota, i cili ishte vetëm 28 vjeç, ndërroi jetë vetëm 11 ditë pas martesës me Ruten, me të cilën ishte në lidhje që nga fëmijëria.

Natën tragjike, Diogo dhe vëllai i tij po udhëtonin drejt Santanderit në Spanjë, për të dorëzuar makinën e marrë me qira dhe më pas për të vazhduar me traget drejt Britanisë së Madhe, ku futbollisti duhej t’i bashkohej përgatitjeve të Liverpoolit. Sipas rrëfimit, mjekët i kishin këshilluar të mos udhëtonte me aeroplan pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Pak minuta pasi vëllezërit u nisën, Rute i dërgoi bashkëshortit një mesazh për t’i uruar rrugë të mbarë. Ai iu përgjigj me një emoji, ndërsa ajo i shkroi: “Ki kujdes në rrugë”.

Këto fjalë morën një domethënie tragjike pas aksidentit që ua mori jetën të dy vëllezërve.

Më vonë atë mbrëmje, Rute dëshironte t’ia dërgonte Diogos disa video nga dasma e tyre, por mesazhi në WhatsApp nuk u dërgua. As mesazhet e tjera nuk mbërritën, ndërsa telefonatat ndaj tij dhe Andre nuk morën përgjigje.

E shqetësuar, ajo kontaktoi hotelin ku vëllezërit duhej të kalonin natën, por mësoi se ata nuk kishin mbërritur. Pas përpjekjeve për të marrë informacione nga spitali dhe policia, Rute kontaktoi dajën e saj, Vitorin, i cili kishte kontakte në policinë rrugore spanjolle.

Gjatë një telefonate, ajo dëgjoi fjalët që do t’i mbeteshin përgjithmonë në kujtesë: “Po i transportojnë trupat”. Pak më vonë, një polic spanjoll ia konfirmoi zyrtarisht lajmin tragjik.

Rute ka rrëfyer gjithashtu se, gjatë rrugës për në morg, i kërkoi shoferit të kalonin nëpër rrugën ku kishte ndodhur aksidenti. Kur arritën te kilometri i 64-të, mbetjet e veturës ishin ende aty. Ajo dëshironte t’i afrohej vendit të ngjarjes, por u ndalua nga një polic.

Biografia është shkruar nga Jose Manuel Delgado, me miratimin e familjes së futbollistit. Të ardhurat nga libri do të mbështesin fondacionin e Liverpoolit, LFC Foundation.

Përmes këtij rrëfimi, Rute ka ndarë me publikun jo vetëm komunikimin e fundit me bashkëshortin, por edhe dhimbjen e humbjes së tij dhe të kunatit të saj, Andre Silva.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali