Çka është PHP-ja dhe pse shkaktoi një alarm global për sigurinë kibernetike?

Çka është PHP-ja dhe pse shkaktoi një alarm global për sigurinë kibernetike?

Written by

in

Për më shumë se një dekadë, të meta serioze kishin mbetur të pazbuluara në teknologjinë që qëndron në themel të një pjese të madhe të internetit.

U desh inteligjenca artificiale (AI) që këto dobësi të dilnin në dritë, duke shkaktuar një alarm global për sigurinë kibernetike.

Dobësitë gjenden në një gjuhë programimi të quajtur PHP, e cila përdoret në mbarë botën që nga vitet 2000 për krijimin e faqeve të internetit.

Qeveritë dhe agjencitë e sigurisë kibernetike në mbarë botën po përpiqen të kufizojnë pasojat e zbulimit të bërë të mërkurën. Ato u kanë bërë thirrje operatorëve të faqeve të internetit që të instalojnë menjëherë një përditësim urgjent sigurie ose të shqyrtojnë mundësinë e çaktivizimit të përkohshëm të platformave të tyre.

Kompania e sigurisë kibernetike Wiz, njëra nga kompanitë, studiuesit e së cilës zbuluan dobësitë, i përshkroi ato si më të rëndat që janë identifikuar ndonjëherë nga inteligjenca artificiale, shkruan bbc.

OpenAI, teknologjia e së cilës u përdor për zbulimin e këtyre dobësive, e cilësoi rastin si një nga problemet më të rëndësishme të sigurisë në kohët e fundit.

Çka është PHP-ja?

Shumica e njerëzve mund të mos kenë dëgjuar për PHP-në, por ka shumë gjasa që të ndërveprojnë me të çdo ditë.

PHP është shkurtesë për PHP: Hypertext Preprocessor. Bëhet fjalë për një gjuhë programimi me kod të hapur, e cila funksionon në pjesën e pasme të një serveri dhe mundëson përpunimin e të dhënave për faqet e internetit.

E zhvilluar në fillim të viteve 1990 për të mundësuar krijimin e faqeve dhe aplikacioneve dinamike, PHP-ja vazhdon të përdoret gjerësisht edhe sot. Ajo qëndron në themel të platformave si Wikipedia, dyqaneve online dhe WordPress-it, sistemit që përdoret për ndërtimin e shumë faqeve të internetit.

Kur vizitoni një faqe interneti, kodi PHP mbledh dhe përpunon të dhënat, duke i shndërruar ato në një faqe që mund ta lexoni.

PHP-ja është përdorur gjithashtu për krijimin e një sërë mjetesh që mundësojnë ndërtimin ose përshpejtimin e zhvillimit të aplikacioneve të internetit. Ndër platformat më të njohura që bazohen në këtë gjuhë janë Laravel, Symfony dhe Drupal.

Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Wiz, e cila ndihmoi në zbulimin e dobësive kritike të PHP-së të bëra publike këtë javë, kjo gjuhë programimi fuqizon 70 për qind të faqeve të internetit në botë.

Mirëmbajtja e saj bëhet nga një organizatë jofitimprurëse e quajtur PHP Foundation, e përbërë nga individë dhe kompani që varen nga kjo gjuhë programimi dhe që synojnë të sigurojnë zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e saj afatgjatë.

Cila është dobësia e zbuluar?

Një grup studiuesish dhe organizatash të sigurisë kibernetike zbuluan këtë javë dy dobësi në PHP, për të cilat paralajmëruan se mund të rrezikojnë faqe interneti në të gjithë botën.

Kompanitë e sigurisë kibernetike Wiz dhe Calif thanë se dobësitë, të cilave u është dhënë emri “php2shell”, janë të natyrshme në vetë gjuhën e programimit. Ato prekin versionet e PHP-së të publikuara gjatë dekadës së fundit.

Ryan Austin, studiues në Calif, i cili ndihmoi në zbulimin e problemeve të sigurisë, i tha BBC-së se kjo ishte “dobësia më serioze që kam zbuluar ndonjëherë”.

Në një publikim në blogun e saj, Wiz shpjegoi se, në kushte të caktuara, hakerët mund të shfrytëzojnë dobësinë “php2shell” për të marrë kontrollin e serverëve të prekur dhe për të vjedhur të dhëna konfidenciale. Sipas kompanisë, kjo do të thotë se gjithçka e ndërtuar mbi PHP-në mund të jetë e ekspozuar ndaj rrezikut.

Inteligjenca artificiale mund t’i bëjë sulme të tilla më të lehta dhe më të shpejta, i tha BBC-së Paul Spain, drejtor ekzekutiv i kompanisë Gorilla Cyber Security.

Ai vlerësoi se dobësia mund të prekë miliona e miliona faqe interneti.

Jill Slay, studiuese e sigurisë kibernetike në Universitetin e Adelaide-s, tha se pasojat do të ishin shkatërruese nëse hakerët ose shtetet do ta shfrytëzonin këtë dobësi për të marrë të dhëna private nga faqet e internetit.

Cilat faqe interneti janë prekur?

Alarmi ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve në mbarë botën, nga platformat e lojërave deri te portalet qeveritare dhe forumet online.

Ndër institucionet e prekura është Wikimedia, organizata që qëndron pas enciklopedisë online Wikipedia, e cila i ka çaktivizuar disa prej sistemeve të saj si masë paraprake.

Faqe dhe shërbime online janë vënë jashtë funksionit nga qeveria finlandeze, Këshilli Bashkiak i Edinburgut dhe BBC-ja. Edhe agjencia e sigurisë kibernetike e Holandës e ka çaktivizuar faqen e saj të internetit.

Faqja e Universitetit të Gjenevës ishte ndër ato që u çaktivizuan të mërkurën, pas një thirrjeje nga Ekipi i Reagimit ndaj Emergjencave Kompjuterike të Bashkimit Evropian (CERT-EU), pas zbulimit të dobësisë.

Një numër organizatash publike në Skoci, përfshirë këshillat bashkiakë dhe bordet shëndetësore, i kanë çaktivizuar gjithashtu faqet e tyre.

Disa ekspertë paralajmërojnë se kjo dobësi mund t’i ekspozojë më shumë ndaj sulmeve faqet e internetit që nuk mirëmbahen siç duhet, veçanërisht ato të organizatave të vogla që kanë burime të kufizuara për sigurinë kibernetike.

Salil Kanhere, studiues i sigurisë kibernetike në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor në Sidnej (UNSW Sydney), tha se në javët e ardhshme priten më shumë përpjekje për shfrytëzimin e këtyre dobësive, pasi hollësitë teknike tashmë po bëhen publike.

Çfarë ndodhi pasi u zbuluan dobësitë?

PHP Foundation publikoi të mërkurën përditësimet e sigurisë për të korrigjuar dobësitë që kishin qëndruar të pazbuluara në softuerin e saj për vite me radhë.

“Të gjithë përdoruesit e PHP-së këshillohen fuqimisht që ta përditësojnë menjëherë sistemin”, deklaroi organizata.

Autoritetet dhe organizatat e sigurisë në mbarë botën kanë përsëritur paralajmërimet, duke u kërkuar operatorëve të faqeve të internetit që të sigurojnë platformat e tyre.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara (NSA) u kërkoi të gjitha organizatave që përdorin PHP-në t’i çaktivizojnë sistemet e tyre nëse nuk janë në gjendje ta instalojnë menjëherë përditësimin e sigurisë. Agjencia paralajmëroi se dobësia mund të krijojë një rrugë të drejtpërdrejtë për sulm ndaj bazës së të dhënave të një sistemi.

“Këto rreziqe janë mjaft serioze për të kërkuar korrigjimin e menjëhershëm të dobësive në të gjitha departamentet dhe agjencitë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, deklaroi agjencia.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Mbretërisë së Bashkuar dha këshilla të ngjashme, duke u kërkuar organizatave të kontrollojnë nëse sulmuesit kanë instaluar “dyer të pasme” (backdoors) në sistemet e tyre. Këto janë mekanizma që mundësojnë hyrjen e paautorizuar në një sistem.

Paralajmërime të ngjashme kanë lëshuar edhe institucionet përkatëse në Bashkimin Evropian, Singapor dhe Australi.

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, u bëri thirrje qytetarëve që të kontrollojnë nëse faqet e tyre të internetit, të qasshme për publikun, funksionojnë përmes PHP-së.

“Kam një kërkesë urgjente për të gjithë që të ndërmarrin veprime sonte”, shkroi Takaichi në rrjetin social X.

“Nëse është e vështirë të instalohet menjëherë përditësimi korrigjues, pezullimi i përkohshëm i faqeve të internetit dhe masat e ngjashme mund të konsiderohen mënyra efektive për të zvogëluar rrezikun”, tha ajo.

Edhe kompanitë e teknologjisë janë përpjekur t’i sigurojnë shpejt sistemet e tyre.

Gjiganti i tregtisë elektronike Amazon tha se ishte përballur me disa përpjekje sulmesh disa ditë para se problemi i PHP-së të bëhej publik, por se faqet e tij të internetit po funksiononin normalisht.

Matthew Prince, drejtori i kompanisë Cloudflare, e cila ofron infrastrukturë për internetin, tha se në dhjetë orët para publikimit të problemit kishin vërejtur mijëra përpjekje për shfrytëzimin e dobësive në rrjetin e tyre.

“Pas njoftimit publik, numri u rrit në dhjetëra mijëra brenda 45 minutash, në qindra mijëra brenda dy orësh dhe tani ka arritur në miliona”, shkroi ai në X.

Si u përfshi inteligjenca artificiale?

Studiuesit e kompanive Calif dhe Wiz, të cilët zbuluan dobësitë, përdorën mjete të avancuara të inteligjencës artificiale, të afta të analizojnë kodin dhe të identifikojnë të metat shumë më shpejt se njerëzit ose sistemet e vjetra.

“Softuerët modernë janë jashtëzakonisht kompleksë dhe disa dobësi mund të mbeten të pazbuluara për vite me radhë”, tha Kanhere.

“Gabimet në thelb nuk ishin të reja; ajo që ndryshoi ishte aftësia jonë për t’i gjetur ato”, shtoi ai.

Detajet e zbulimit u publikuan në internet këtë javë, duke i detyruar zhvilluesit e PHP-së të përshpejtonin njoftimin për problemin e sigurisë dhe përmasat e tij.

Në një publikim në blog, OpenAI tha se rasti “tregon se si inteligjenca artificiale mund të zbulojë dobësi të sigurisë”, por edhe se si ajo mund t’i ndihmojë sulmuesit të zhvillojnë me shpejtësi mjete dhe metoda për sulme kibernetike.

Kompania që krijoi ChatGPT-në tha se kishte publikuar një program për të kontrolluar nëse platforma PHP është e sigurt.

“Shumë prej këtyre dobësive burojnë nga mënyra se si janë ndërtuar softuerët në të kaluarën, kur përparësi i jepej funksionalitetit dhe jo sigurisë”, tha Ryan Ko nga Qendra e Kërkimeve Kibernetike e Universitetit të Queensland-it.

Çfarë do të thotë kjo për ju?

Problemi prek proceset e zhvillimit dhe funksionimit të faqeve të internetit në pjesën e pasme të sistemeve, të cilat janë të padukshme për shumicën e përdoruesve. Për këtë arsye, shumica e njerëzve nuk kanë nevojë të ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta.

Megjithatë, bizneset e vogla që kanë faqe interneti, përfshirë ato të ndërtuara me WordPress, mund të shqetësohen për mënyrën se si t’i mbrojnë platformat e tyre.

Pronarëve të faqeve të internetit dhe personave që menaxhojnë infrastrukturë të bazuar në PHP u është kërkuar t’i sigurojnë sistemet e tyre duke instaluar versionin më të fundit të gjuhës së programimit.

Ken Munro, një haker etik që prej vitesh identifikon dobësi në sistemet kompjuterike, tha se instalimi i përditësimeve korrigjuese, i njohur si patching, është pak a shumë si përditësimi i sistemit operativ Windows.

Nëse faqja juaj menaxhohet nga një kompani që ofron shërbime të hostimit ose nga një zhvillues i internetit, kontaktoni me ta dhe pyetini nëse i kanë instaluar përditësimet e sigurisë për PHP-në.

Këto korrigjime duhet të aplikohen drejtpërdrejt në PHP dhe problemi nuk mund të zgjidhet vetëm duke përditësuar WordPress-in ose shtojcat e tij.

Nëse e menaxhoni vetë faqen tuaj, Munro thotë se “është përgjegjësia juaj të siguroheni që përditësimet korrigjuese të instalohen”.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Mbretërisë së Bashkuar rekomandon që faqet e internetit të çaktivizohen përkohësisht nëse përditësimet ose masat mbrojtëse nuk mund të zbatohen mjaftueshëm shpejt.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së ka bërë gjithashtu thirrje për vigjilencë të shtuar gjatë javëve të ardhshme, duke u kërkuar përdoruesve që t’i përcjellin nga afër përditësimet e publikuara nga kompanitë e softuerëve.

“Vigjilenca në zbatimin e përditësimeve korrigjuese për këto sisteme është thelbësore”, deklaroi agjencia.

Megjithëse përgjegjësia kryesore bie mbi operatorët e faqeve të internetit, përdoruesit duhet të qëndrojnë të vëmendshëm ndaj këshillave të sigurisë të publikuara nga shërbimet e prekura, përfshirë kërkesat për ndryshimin e fjalëkalimeve, tha Kanhere.

Ai paralajmëroi gjithashtu se njerëzit duhet të kenë kujdes nga mesazhet mashtruese të tipit phishing, të cilat mund të shfrytëzojnë publicitetin rreth këtij incidenti për të vjedhur të dhëna personale. /Telegrafi/