
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special me gjyqtarin Kushtrim Shyti sot pritet të mbahet seanca fillestare ndaj Miljojko Djorgjevic, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998–1999 në komunën e Zveçanit.
Djorgjevic, i cili gjatë luftës dyshohet se kishte ushtruar funksionin e komandantit të Repartit Policor në përbërjen rezervë në Zveçan, do të dalë para trupit gjykues për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2026, i pandehuri dyshohet se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, nën përgjegjësinë individuale dhe komanduese, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
Në seancën fillestare pritet të bëhet leximi i aktakuzës dhe i akuzuari të deklarohet lidhur me fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali