Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e ka cilësuar të dëmshëm rikthimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, duke kritikuar edhe qëndrimin e Qeverisë lidhur me këtë çështje.
Tahiri ka thënë se Aleanca e konsideron të papranueshëm këtë veprim, ndërsa ka shprehur habinë që Qeveria, sipas tij, nuk kishte dhënë komente për dy javë, ndonëse ligji kishte qenë në shqyrtim te ajo.
“Rikthimin e ligjit në Kuvend, si Aleancë, e kemi parë si një veprim jashtëzakonisht të dëmshëm dhe jo serioz, i cili në esencë për ne e ka dëmtuar kauzën”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se në Hagë mbrohet e vërteta e luftës për liri dhe jo interesat e partive politike.
Tahiri ka shtuar se Aleanca ende nuk e di se çfarë ndryshimesh mund të bëhen në ligj, pasi, sipas tij, nuk e kanë parë letrën përmes së cilës presidentja e ka kthyer atë në Kuvend.
“Për ne, në Hagë mbrohet tregimi për liri, nuk mbrohen partitë, mbrohet e vërteta jonë. Nuk do ta lejojmë dëmtimin e kauzës së luftës për liri”, ka thënë ai.
Burimi: Dukagjini
