Arsenali rrezikon të mbetet pa një nga lojtarët më të rëndësishëm të repartit ofensiv për të paktën gjashtë javë, pasi Bukayo Saka ka pësuar një lëndim në muskulin kuadriceps gjatë ndeshjes ndaj Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve.
Sipas raportimeve të HandofArsenal, sulmuesi anglez pritet të mungojë të paktën gjashtë javë, ndërsa disa burime sugjerojnë se rikuperimi mund të zgjasë deri në tetë javë.
Nëse ky afat konfirmohet, Saka mund të rikthehet në fushë në fund të dhjetorit, gjatë periudhës së ngarkuar të festave të fundvitit.
Megjithatë, Arsenali ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht kohëzgjatjen e mungesës së tij. Trajneri Mikel Arteta ka bërë të ditur se nevojiten ekzaminime të tjera mjekësore për të përcaktuar më saktë shkallën e lëndimit dhe kohën e rikuperimit.
Saka u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e dhjetë të barazimit 2-2 ndaj Bayern Munichut, pasi ndjeu dhimbje të forta në kofshë gjatë një aksioni. Pas ndeshjes, Arteta nuk e fshehu shqetësimin për gjendjen e lojtarit, duke pranuar se situata nuk dukej aspak e mirë.
Mungesa e mundshme e Sakas do të ishte një goditje e madhe për Arsenalin, veçanërisht duke pasur parasysh rëndësinë e tij në lojën sulmuese të skuadrës.
Sipas statistikave të publikuara nga Sky Sports, Arsenali ka regjistruar përqindje më të lartë të fitoreve në Ligën Premier kur anglezi ka qenë titullar sesa në ndeshjet kur ai ka munguar./Telegrafi/