
Një alarm për cunami është lëshuar në Itali pas një serie tërmetesh të regjistruara në brigjet e Mesdheut, pranë Siçilisë, duke nxitur evakuimin paraprak të disa shkollave dhe ndërtesave publike.
Të premten, gjatë mesditës, u regjistruan 12 lëkundje sizmike, me magnitudë deri në 5.0, në zonën pranë ishullit. Si pasojë, në Palermo dhe Mesinё disa shkolla u evakuuan si masë paraprake.
Sipas mediave lokale, autoritetet u bënë thirrje banorëve të tregojnë kujdes pranë zonave bregdetare dhe të qëndrojnë vigjilentë pas lëshimit të alarmit për cunami. Nxënësit ndërprenë mësimin, ndërsa disa zyra publike u zbrazën.
Masat e evakuimit u shtrinë edhe në qytetin e Trapanit, në bregun perëndimor të Siçilisë. Ndërkohë, në ishullin Lipari, mes Siçilisë dhe Italisë kontinentale, studentët dhe punonjësit e bashkisë u larguan nga ndërtesat.
Sipas të dhënave të raportuara, epiqendra e tërmetit ndodhej më pak se 60 milje nga Palermo, kryeqyteti i Siçilisë, i cili ka një popullsi prej rreth 648 mijë banorësh.
Lëkundjet u ndien edhe në Palermo, Patti, Licata, Capo d’Orlando dhe Campofelice di Roccella. Autoritetet raportuan se 11 lëkundjet e tjera kishin magnitudë mbi 3.0.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) regjistroi një tërmet me magnitudë 5.7 dhe me thellësi prej 10 kilometrash, në veri të ishullit, në orën 10:19 sipas kohës lokale.
Kryebashkiaku i Palermos, Roberto Lagalla, deklaroi se autoritetet po e monitoronin nga afër situatën. Ai u bëri thirrje banorëve dhe personave pranë bregdetit të qëndrojnë larg detit dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali