Besnik Berisha tërhiqet nga mbrojtja e Gani Gecit: I thanë “prano fajësinë, të lirojmë nga burgu”

Besnik Berisha tërhiqet nga mbrojtja e Gani Gecit: I thanë “prano fajësinë, të lirojmë nga burgu”

Written by

in

Avokati Besnik Berisha ka njoftuar se ka revokuar autorizimin për mbrojtjen e Gani Gecit, duke pretenduar se gjatë procedurës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë është ushtruar presion ndaj klientit të tij për të pranuar fajësinë në këmbim të mundësisë për ndërprerjen e paraburgimit.

Në një reagim publik, Berisha ka thënë se përvoja e së premtes përbën një nga rastet më të rënda të karrierës së tij prej gati 17 vjetësh si avokat.

Sipas tij, Geci, i cili ka probleme serioze shëndetësore, është sjellë nga spitali në prokurori me duar të lidhura, ndërsa liria e tij, siç pretendon avokati, është vënë në ndërlidhje me pranimin e fajësisë.

Berisha ka ngritur pikëpyetje për arsyetimin e paraburgimit, duke thënë se gjykata e kishte bazuar këtë masë në rrezikun e pretenduar të përsëritjes së veprës penale, e jo në rrezikun e arratisjes apo të ndikimit në prova.

“A pushoi rreziku se ekzistuari, apo pranimi i fajësisë u bë çelësi për hapjen e derës së burgut?”, ka pyetur Berisha.

Ai ka paraqitur edhe një kronologji të veprimeve procedurale, përmes së cilës pretendon se Geci fillimisht e ka mohuar veprën penale, ndërsa vetëm pak minuta më vonë ka pranuar përgjegjësinë penale dhe është propozuar arritja e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.

Sipas avokatit, në orën 12:36 ka përfunduar marrja e parë në pyetje, gjatë së cilës Geci ka mohuar se kishte kanosur dikë. Berisha thotë se në procesverbal ka kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe atë që e ka konsideruar përdorim të paraburgimit si presion për pranimin e fajësisë.

Në orën 13:05, sipas tij, ka filluar marrja e dytë në pyetje, ndërsa në orën 13:10 ai ka revokuar autorizimin dhe është larguar. Procedura, sipas kronologjisë së paraqitur nga avokati, ka përfunduar në orën 13:16 me pranimin e përgjegjësisë penale dhe propozimin për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

“Dy procesverbale. E njëjta vepër penale. Dy deklarime të kundërta. Vetëm pak minuta ndërmjet tyre”, ka shkruar Berisha.

Ai ka theksuar se nuk po e gjykon vendimin personal të klientit të tij, por praktikën që, sipas tij, mund ta vendosë një person përballë zgjedhjes mes qëndrimit në paraburgim dhe pranimit të fajësisë me shpresën për t’u liruar.

“Kjo nuk është drejtësi që kërkon të vërtetën. Kjo rrezikon të jetë drejtësi që kërkon dorëzimin”, ka deklaruar avokati.

Berisha ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Kryeprokurori i Shtetit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe institucionet kompetente për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së veprimeve të prokurorëve.

Ai ka kërkuar që të verifikohen rrethanat në të cilat është propozuar pranimi i fajësisë, raporti i pretenduar mes këtij pranimi dhe qëndrimit të prokurorisë për paraburgimin, gjendja shëndetësore e Gecit dhe mënyra se si është siguruar vullneti i tij.

Sipas Berishës, nëse vërtetohet se paraburgimi është përdorur si mjet presioni për të siguruar pranimin e fajësisë, duhet të ketë përgjegjësi konkrete disiplinore dhe penale, në përputhje me përgjegjësinë e secilit.

Në fund të reagimit, avokati ka thënë se vendimin për t’u tërhequr nga mbrojtja e ka marrë për të mos vënë emrin dhe dinjitetin e tij profesional në shërbim të një procedure që, sipas bindjes së tij, cenonte parimet e drejtësisë penale.

“Me mirë ta humbasësh një klient duke mbrojtur parimet, sesa t’i humbasësh parimet duke mbajtur një klient”, ka shkruar Berisha.

Ai e ka përmbyllur reagimin me thirrjen që përgjegjësia penale të vërtetohet para gjykatës, duke theksuar se të drejtat themelore duhet të mbrohen edhe kur një person akuzohet për vepër penale.

“Fajësia duhet të provohet për t’ia marrë njeriut lirinë, jo të pranohet për t’ia kthyer atë!”, ka përfunduar Berisha.