
Një operacion policor është zhvilluar në veri të Mitrovicës, ku gjatë kontrollit të një banese janë gjetur dhe sekuestruar një jelek antiplumb me pllaka mbrojtëse, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një sasi veshjesh, për të cilat pritet të zhvillohen procedura doganore, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Milan Vicentijecic, rreth 28-vjeçar, në banesën e të cilit është realizuar kontrolli me urdhër të gjykatës.
Rasti ka ndodhur më 22 tetor 2026, rreth orës 08:00, në rrugën “Anke Spajiq” në Mitrovicën e Veriut.
Gjatë bastisjes, njësitë policore kanë gjetur një jelek mbrojtës antiplumb, me numër serik 0454, së bashku me dy pllaka mbrojtëse me numër 0453, si dhe gjashtë fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Katër prej fishekëve kishin mbishkrimin “PPU 22 HORNET”, ndërsa dy të tjerët mbishkrimin “SUPER”.
Por, përveç pajisjeve mbrojtëse dhe municionit, në banesë është gjetur edhe një sasi e konsiderueshme veshjesh.
Bëhet fjalë për 25 palë xhinse, shtatë xhemperë, 24 bluza, një xhaketë, dy peshqirë, një palë pizhame, një komplet me shorce dhe bluzë, si dhe një këmishë.
Të gjitha sendet janë evidentuar dhe sekuestruar nga njësia e krimteknikës, ndërsa veshjet pritet t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme doganore.
Pas përfundimit të kontrollit, Vicentijecic është intervistuar nga Policia.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, 28-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali