Gërvalla u bën thirrje shqiptarëve të Luginës dhe diasporës të votojnë Koalicionin Shqiptar

Gërvalla u bën thirrje shqiptarëve të Luginës dhe diasporës të votojnë Koalicionin Shqiptar

Written by

in

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe në mërgatë, që më 25 tetor të votojnë për Koalicionin Shqiptar, me numrin 17, në zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë, duke pretenduar se ata vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe shkelje të të drejtave.

Ajo ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe se të drejtat e tyre nuk duhet të mbeten jashtë vëmendjes së institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Përballë diskriminimit sistematik, mohimit të të drejtave dhe padrejtësive të vazhdueshme nga shteti serb, përfaqësimi sa më i fuqishëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë është domosdoshmëri”, ka shkruar Gërvalla.

Sipas saj, çështja e të drejtave të shqiptarëve në këto tri komuna nuk është vetëm çështje lokale, por edhe përgjegjësi për të mos lejuar që padrejtësitë ndaj tyre të mbeten pa zë.

Gërvalla u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime, duke theksuar se pjesëmarrja e lartë do ta fuqizonte zërin e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

“Prandaj, ju ftoj të gjithëve të bashkoheni si kurrë më parë, nga Lugina e deri në mërgatë, që më 25 tetor të shfrytëzoni të drejtën tuaj të votës”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Gërvalla ka përsëritur thirrjen për votimin e listës së përbashkët shqiptare me numrin 17, Koalicionit Shqiptar.