
Hasan Krasniqi, i cili është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, ku ka përshkruar atë që pretendon se ndodhi gjatë mbledhjes së Bordit.
Krasniqi ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar ndërprerja e kontratës së operatorit ekonomik “Liqeni i Dukagjinit”, ndërsa ai ka kërkuar që për këtë çështje të merret një vendim formal nga aksionarët ose nga Bordi.
Në postimin e tij, Krasniqi ka shkruar se kryesuesi i Bordit i kishte thënë: “Ju duhet të ndërpreni kontratën e operatorit ekonomik ‘Liqeni i Dukagjinit’.”
Ai pretendon se është përgjigjur duke kërkuar një vendim zyrtar, me arsyetimin se ndërprerja e kontratës mund të ketë pasoja të mëdha juridike dhe ekonomike.
“UNË: Kryesues, unë kam kërkuar dhe po kërkoj edhe tani një vendim nga Aksioneri ( Ministri e Ekonomisë) ose nga ju Bordi me vetëm dy rreshta të shkruar dhe po e ndërpres tani menjëherë kontratën.”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, kryesuesi i Bordit më pas i kishte kërkuar të nënshkruante ndërprerjen e kontratës ose të jepte dorëheqje.
“KRYESUESI I BORDIT: Ose nënshkruaje prishjen e kontratës ose jep dorëheqje.”, ka cituar Krasniqi në postimin e tij.
Ai ka pretenduar se u kishte kërkuar anëtarëve të Bordit një vendim të shkruar, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme financiare dhe juridike të ndërprerjes së kontratës.
Në fund të postimit, Krasniqi ka thënë se kryesuesi i Bordit i kishte komunikuar shkarkimin dhe i kishte kërkuar të largohej nga salla.
“KRYESUESI I BORDIT:
Je i shkarkuar , liro sallën.
Mirret vendimi për shkarkim , antarët tjerë të bordit nuk lëvizin dhe nuk e qelin gojën.”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka përfunduar rrëfimin duke thënë se është larguar nga salla e takimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali