“Etiketimi për rastin e Jusuf Gërvallës”, Pacolli paralajmëron padi ndaj Faton Pecit: Do të kërkoj përgjegjësi në Kosovë dhe Gjermani

"Etiketimi për rastin e Jusuf Gërvallës", Pacolli paralajmëron padi ndaj Faton Pecit: Do të kërkoj përgjegjësi në Kosovë dhe Gjermani

Written by

in

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se do t’u drejtohet organeve të drejtësisë në Kosovë dhe Gjermani, pas deklaratave publike të ministrit në detyrë, Faton Peci, të cilat ai i konsideron shpifje ndaj tij.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka hedhur poshtë pretendimet që, sipas tij, e paraqesin Donika Gërvallën si burimin e akuzave ndaj tij.

Ai i ka cilësuar këto deklarata si të rënda dhe ka thënë se ato cenojnë dinjitetin e tij dhe shkaktojnë shqetësim për familjen, veçanërisht për fëmijët e tij.

“Është e turpshme që njerëz me përgjegjësi publike të bien në këtë nivel. Përhapja e akuzave të tilla është një sjellje e padenjë, që dëshmon mungesë përgjegjësie dhe respekti për dinjitetin njerëzor”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka bërë të ditur se do t’u drejtohet institucioneve kompetente në Kosovë dhe Gjermani, me kërkesën që deklaratat të shqyrtohen dhe personat përgjegjës të mbajnë llogari para ligjit.

Pacolli ka pretenduar gjithashtu se për akuza të ngjashme janë dënuar më parë persona në Zvicër dhe Gjermani, duke shtuar se edhe Peci është dënuar së fundmi për të njëjtat shpifje. Ky pretendim i tij nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

“Nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të ndalem së kërkuari qartësi. Do të ndjek çdo rrugë ligjore që përgjegjësit të japin llogari për fjalët e tyre dhe për dëmin që po shkaktojnë”, ka deklaruar ish-presidenti./Telegrafi/