Sveçla në Itali: Kosova e përkushtuar në luftën kundër drogave

Sveçla në Itali: Kosova e përkushtuar në luftën kundër drogave

Written by

in

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar nën udhëheqjen e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë evropianë.

“Në fjalën time në emër të Republikës së Kosovës, riafirmova përkushtimin tonë për një qasje që ndërthur sigurinë publike me mbrojtjen e shëndetit publik. Përmes Strategjisë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028, po forcojmë masat parandaluese, trajtimin dhe rehabilitimin, me vëmendje të veçantë ndaj mbrojtjes së të rinjve dhe fuqizimit të komuniteteve”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka njoftuar se gjatë takimit është miratuar edhe Deklarata e Përbashkët, përmes së cilës është riafirmuar zotimi politik dhe institucional për veprim të përbashkët në parandalimin e përdorimit të drogave dhe mbrojtjen e të rinjve.

“Lufta kundër drogave kërkon angazhim të vendosur kundër rrjeteve kriminale, por edhe mbështetje për personat që përballen me varësinë. Rezultatet e Policisë së Kosovës, me 750 raste të iniciuara dhe 961 të dyshuar të arrestuar gjatë vitit 2025, dëshmojnë angazhimin tonë në luftimin e këtij fenomeni”, ka theksuar ministri.

Sveçla ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë, përmes shkëmbimit të informacionit dhe veprimeve të përbashkëta kundër krimit të organizuar.

“Qëllimi ynë është i përbashkët: mbrojtja e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve, dhe ndërtimi i një shoqërie më të sigurt, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për brezat që vijnë”, ka përfunduar Sveçla. 

Burimi: RTKLive