UBT ka hapur sot zyrtarisht edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një ngjarje madhore akademike që zhvillohet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Kjo platformë ndërdisiplinore beri bashkë mbi 1,000 studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe ekspertë nga më shumë se 30 shtete të botës, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Edicioni i sivjetshëm ka një rëndësi të veçantë festive, pasi përkon me shënimin e 25-vjetorit të themelimit të UBT-së.
Në hapjen e kësaj konference, Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, duke ju uruar mirëseardhje pjesëmarrësve ka nënvizuar rolin kryesor të kërkimit ndërdisiplinor për zgjidhjen e sfidave globale.
“Sfidat më të rëndësishme të kohës sonë nuk i përkasin një disipline të vetme shkencore. Ndryshimet klimatike nuk mund të adresohen vetëm nga shkenca e mjedisit. Transformimi që sjell inteligjenca artificiale nuk mund të kuptohet vetëm përmes shkencave kompjuterike. E ardhmja e kujdesit shëndetësor kërkon mjekësi, inxhinieri, bioteknologji, teknologji digjitale, etikë dhe inovacion të përqendruar te njeriu. Qytetet e qëndrueshme kërkojnë arkitekturë, planifikim urban, sisteme energjetike, lëvizshmëri, infrastrukturë digjitale dhe pjesëmarrje të komunitetit. Prandaj, konferenca jonë është më shumë se një përmbledhje prezantimesh shkencore: është një platformë ndërkombëtare që lidh dijen, disiplinat, njerëzit dhe institucionet në kërkim të zgjidhjeve më të mira për problemet e botës reale”, u shpreh Rektori Hajrizi para të pranishmëve.
Ndërsa ndaloi te rrugëtimi çerek-shekullor i institucionit, Rektori Hajrizi theksoi transformimin e UBT-së në një ekosistem modern arsimor e shkencor, si dhe synimin për të ngritur cilësinë e kërkimit shkencor në nivele të larta ndërkombëtare.
“Sot UBT është zhvilluar në një ekosistem të gjerë akademik, shkencor, teknologjik dhe sipërmarrës, i cili përfshin rreth 300 laboratorë, 150 fusha studimi dhe bashkëpunim me më shumë se 500 universitete e institucione partnere ndërkombëtarisht. Megjithatë, investimi më i madh i një universiteti nuk është në ndërtesa apo teknologji, por te njerëzit, sot UBT bashkon mbi 400 anëtarë stafi me kohë të plotë me tituj doktorature. Synimi ynë nuk është thjesht rritja e numrit të publikimeve, por fuqizimi i cilësisë shkencore, bashkëautorësia ndërkombëtare dhe zgjidhjet që i përgjigjen nevojave të shoqërisë. Nga dija shkencore te prototipet, nga prototipet tek inovacioni dhe nga inovacioni te ndikimi i matshëm shoqëror: kjo është rruga që kërkojmë të fuqizojmë”, u shpreh Rektori i UBT-së.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme programi i konferencës do të shtrihet në një varg të gjerë disiplinash përmes dhjetëra seancave paralele shkencore. Punimet do të përfshijnë fushat e mjekësisë, infermierisë, farmacisë, stomatologjisë dhe mjekësisë sportive, si dhe sektorin e teknologjisë e inxhinierisë me fokus në shkencat kompjuterike, inteligjencën artificiale, mekatronikën, robotikën dhe sigurinë e informacionit. Po ashtu, hapësirë e veçantë do t’i kushtohet arkitekturës, planifikimit hapësinor, artit e dizajnit, ndërsa në shkencat shoqërore e ekonomike do të trajtohen tema nga menaxhmenti, ekonomia, drejtësia, shkencat politike, media, psikologjia, arsimi, si dhe bujqësia e shkencat mjedisore.
Në fokus të veçantë të punimeve do të jetë edhe platforma UBT Smart City, e cila po shërben si një laborator i gjallë (living testbed) për eksperimentimin ndërdisiplinor dhe testues prototypesh të teknologjive të reja. Po ashtu, po prezantohet zhvillimi i Qendrave të Ekspertizës dhe Instituteve të specializuara, si Instituti i Mjekësisë Sportive dhe AI Business Hub. Lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale, Rektori Hajrizi veçoi se mjetet e AI duhet të shërbejnë për të mbështetur e jo për të zëvendësuar gjykimin shkencor e rigorozitetin metodologjik.
Kjo ngjarje vjen në një moment të rëndësishëm ku UBT rikonfirmon pozitën e tij udhëheqëse si institucioni i parë në Kosovë në përbërësin e kërkimit shkencor sipas renditjes ndërkombëtare SCImago Institutions Rankings 2026, duke synuar rritjen e mëtejshme të ndikimit shkencor dhe pjesëmarrjen në programe evropiane si Horizon Europe e COST Actions. Konferenca do të vazhdojë punimet përgjatë ditës me prezantimin e simpoziumeve shkencore, debateve konstruktive dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit akademik midis studiuesve të rinj dhe shkencëtarëve ndërkombëtarë.
Burimi: Dukagjini
