Tesla premton se modeli i ri sportiv elektrik Roadster do të arrijë shpejtësi maksimale deri në 530 kilometra në orë, një shifër që do ta rendiste atë ndër veturat më të shpejta në botë. Megjithatë, këto shifra mbeten premtime dhe pritet të konfirmohen me të dhëna të mëtejshme teknike.
Pas prezantimit të modelit të ri, kompania amerikane ka filluar të zbulojë detaje rreth performancës së tij, përfshirë shpejtësinë maksimale dhe fuqinë e motorëve.
Sipas informacioneve të publikuara, Tesla po e trajton zhvillimin e shpejtësisë maksimale në dy faza. Fillimisht, objektivi është arritja e 345 kilometrave në orë, ndërsa synimi afatgjatë për versionin më të fuqishëm është 530 kilometra në orë.
Versioni bazë, i quajtur Performance, pritet të ketë fuqi prej 1.073 kuajfuqish dhe çift rrotullues prej 1.200 njutonmetrave. Ndërkaq, varianti Thrust pritet të ofrojë 1.350 kuajfuqi dhe 1.400 njutonmetra çift rrotullues.
Dizajneri kryesor i Teslas, Franz von Holzhausen, ka folur për këto objektiva në një intervistë për emisionin britanik “Top Gear”.
Përveç shpejtësisë së jashtëzakonshme, Tesla ka bërë premtime ambicioze edhe për përshpejtimin. Sipas të dhënave të publikuara, Roadsteri mund të përshpejtojë nga zero në 100 kilometra në orë për rreth 0,84 sekonda, megjithëse kjo shifër ende kërkon konfirmim praktik.
Kompania e përshkruan Roadsterin e ri si një veturë konceptuale, ndaj mbetet të shihet se cilat nga këto specifikime do të përfshihen në modelin përfundimtar të prodhimit. /Telegrafi/