
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka paralajmëruar se partia e tij do të kërkojë interpelancë me Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.
Në një konferencë për media, Gjini ka pretenduar se Kosova po përballet me një krizë të rëndë energjetike, duke deklaruar se vetëm gjatë muajit shtator importi i energjisë elektrike ka kushtuar rreth 27 milionë euro.
“Sot e kemi thirrur në konferencë për shtyp për me e kthy vëmendjen e opinionit të Kosovës te gjendja në të cilën sot është Kosova. Që ndërlidhet me ekonominë, që ndërlidhet pothuajse me gjithçka tjetër, e që ka të bëjë me energjinë elektrike, me energjinë në Kosovë”, ka thënë Gjini.
Ai ka vlerësuar se shpenzimet për importin e energjisë po rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët, si përmes faturave të energjisë elektrike, ashtu edhe përmes buxhetit të shtetit.
“Më duhet me ju thënë që Kosova, thashë, është në kolaps. Edhe një herë: pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës”.
Sipas Gjinit, kostoja e energjisë së importuar bartet nga qytetarët edhe në mënyrë indirekte, përmes taksave që derdhen në buxhetin e shtetit.
Ai ka paraqitur edhe shifra për prodhimin vendor dhe kërkesën për energji elektrike, duke pretenduar se në momentin e konferencës prodhimi ishte rreth 372 megavatë, ndërsa kërkesa tejkalonte 800 megavatët.
“Duhet me ju thënë që importi i energjisë elektrike deri tash është diku 27 milion euro. Këtë veç shtatorit jemi duke folur, vetëm shtatorin”.
Duke iu referuar diferencës mes prodhimit vendor dhe kërkesës për energji, Gjini ka paralajmëruar se shpenzimet për import mund të arrijnë së paku në dy milionë euro në ditë.
“Duhet me ju thënë që e kemi prodhimin e energjisë elektrike diku në 372 megavat tash e kërkesën në këto momente e kemi mbi 800 megavat. Do të thotë momentet kur nuk pritet me pas shumë kërkesë. Është kërkesë e ulët. Mundet me shku shumë më lart. Që do të thotë po mbërrijmë minimum me importu energji elektrike 2 milion euro në ditë”, ka thënë ai.
Një pjesë të konferencës, Gjini ia ka kushtuar edhe tenderit për riparimin e bojlerit të njërit prej blloqeve të prodhimit të energjisë elektrike. Ai ka akuzuar Qeverinë se ka dështuar qëllimisht në këtë proces, duke pretenduar se tenderi është mbyllur pa u shpallur fitues dhe se kjo ka penguar realizimin e riparimit.
“Të njëjtat kompani për që licencohen për transport të energjisë elektrike, edhe për mashtrime të tjera janë të njëjtat të njëjtat, prapë janë të njëjtat. Për të cilat edhe mediat edhe ne e kemi folur për një kohë të gjatë”.
Gjini ka rikujtuar edhe deklaratat e mëhershme të kryeministrit Albin Kurti në Kuvend për bojlerët dhe filtrat, duke e kritikuar Qeverinë për gjendjen aktuale në sektorin e energjisë.
“E dini që kurti ka dalë në Kuvend të Kosovës para nja 3 viteve, edhe ju ka mbajtur ligjëratë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për bojlerat edhe për filterat. E tash po ju tregoj diçka. Këta e kanë dështu me qëllim tenderin e riparimit të bojlerave, bojlerit të kurtit”.
Sipas tij, tenderi është hapur dhe më pas është mbyllur pa u shpallur fitues, ndërsa Gjini ka pretenduar se ky proces ka mundësuar zbulimin e çmimeve të ofertave.
“E kanë hapur tenderin, e kanë mbyllur tenderin pa fitues, për me i zbulu çmimet e ofertave që është aferë korruptive brutale, kanë marrë ankesa edhe ai bojleri i kurtit është i pariparuar”.
Në fund, Gjini ka paralajmëruar se mosriparimi i bojlerit mund të ketë pasoja të mëtejshme për prodhimin e energjisë elektrike gjatë dimrit. Sipas tij, blloku përkatës mund të duhet të nxirret sërish jashtë funksionit në muajt e ftohtë, duke e rënduar edhe më tej gjendjen energjetike në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali