Kuvendi i Gjilanit nderon me titullin “Qytetar Nderi” veprimtarin e çështjes kombëtare Muharrem Aliu

Kuvendi i Gjilanit nderon me titullin "Qytetar Nderi" veprimtarin e çështjes kombëtare Muharrem Aliu

Written by

in

Kuvendi i Komunës së Gjilanit e ka nderuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Muharrem Aliu, me titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes.

Vendimi është marrë në një seancë solemne të mbajtur të shtunën, të udhëhequr nga kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku. Ndarja e këtij titulli është iniciuar nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, me rekomandimin e Komisionit për dhënien e titujve të nderit dhe mbështetjen e partive politike në Kuvend.

Sipas motivacionit, çmimi i është ndarë Aliut për kontributin në çështjen kombëtare, qëndresën patriotike dhe sakrificën për lirinë e shqiptarëve, si dhe për angazhimin në zhvillimin e Pogragjës dhe të trevës së Gjilanit.

Kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku ka vlerësuar se Muharrem Aliu e kishte vënë çështjen kombëtare mbi interesin personal, duke zgjedhur rrugën e qëndresës dhe sakrificës në periudha të vështira për shqiptarët.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës, Arianit Sadiku, në emër të kryetarit Alban Hyseni, ka theksuar se Aliu ia kushtoi jetën idealit për liri dhe bashkim kombëtar.

Në emër të Grupit të Këshilltarëve të LDK-së ka folur asambleisti Fitim Guda, ndërsa në emër të familjes Aliu, Agron Aliu ka falënderuar institucionet për nderimin, duke theksuar se ky çmim përbën edhe përgjegjësi për familjen dhe brezat e ardhshëm.

Në seancën solemne morën pjesë përfaqësues institucionalë, ish-zyrtarë komunalë, përfaqësues të Policisë dhe FSK-së, familjarë të dëshmorëve dhe familjarë të Muharrem Aliut. /Telegrafi/