Dogana e Kosovës, mbrëmë, më 23 tetor 2026, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, ka organizuar dhe realizuar një operacion kontrolli ndaj një biznesi që merret me tregtimin e telefonave mobilë.
Dogana njofton se operacioni fillimisht është përqendruar në kontrollin e lokalit afarist, ndërsa më pas, bazuar në informacionet operative, kontrolli është zgjeruar edhe në një banesë në afërsi të biznesit, e cila shfrytëzohej për fshehjen dhe ruajtjen e telefonave mobilë të kontrabanduar.
“Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 113 telefona mobilë të kontrabanduar, të markave dhe modeleve të ndryshme, përfshirë Apple iPhone, Samsung Galaxy, Xiaomi, Redmi, POCO, Google Pixel, OnePlus dhe Huawei.
Për të gjithë telefonat e zbuluar, personi përgjegjës nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të mallrave, importimin e tyre përmes procedurave të rregullta doganore apo pagesën e detyrimeve përkatëse doganore”, thuhet në njoftim.
Si rezultat i këtij operacioni, të gjithë telefonat mobilë janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Personi i dyshuar është intervistuar nga zyrtarët kompetentë dhe, me urdhër të prokurorit të rastit, është liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/