
FC Vushtrria ka reaguar pas bojkotit të një grupi futbollistësh, të cilët, sipas klubit, refuzuan të paraqiten në ndeshjen e sotme, pavarësisht zotimeve të dhëna në një takim të mbajtur një natë më parë.
Përmes një reagimi publik, klubi ka pranuar se paga e fundit e lojtarëve ka pasur vonesë prej 20 ditësh, duke e arsyetuar këtë me procedurat ligjore për sigurimin e dokumentacionit të sponsorizimit. Sipas bordit, dokumentacioni përkatës është kompletuar gjatë kësaj jave, ndërsa lojtarëve u është premtuar se pagat do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme.
Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë shprehur pakënaqësi për bojkotin, duke vlerësuar se ai e ka vendosur Vushtrrinë në një situatë të vështirë dhe mund të sjellë pasoja sportive, përfshirë humbjen e ndeshjes në tavolinë.
“Është për keqardhje ajo që ka ndodhur sot me klubin tonë. Situata e krijuar nuk është në interes të askujt dhe ka ardhur si pasojë e bojkotit të një grupi lojtarësh, të cilët, pavarësisht diskutimeve dhe zotimeve të dhëna, nuk pranuan të paraqiten në ndeshjen e sotme. Çështjet e brendshme të klubit duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, pa e dëmtuar klubin”, thuhet në reagim.
Bordi ka pranuar përgjegjësinë për vonesën e pagave, duke theksuar se bëhet fjalë për vonesën e parë të këtij lloji që nga hyrja e FC Vushtrrisë në Superligë.
“Bordi është i vetëdijshëm për vonesën 20-ditore të pagës së fundit për lojtarët e ekipit të parë, e cila është vonesa e parë e këtij lloji që nga hyrja e FC Vushtrrisë në Superligë. Bordi e merr përgjegjësinë për këtë situatë, e cila është shkaktuar nga procedurat ligjore për sigurimin e vërtetimeve të sponsorizimit. Dokumentacioni përkatës është kompletuar gjatë kësaj jave.”
Sipas klubit, në takimin e mbajtur një natë para ndeshjes, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tifogrupit “Forca”, lojtarëve u ishte premtuar se pagat do të paguheshin gjatë javës së ardhshme. Klubi thotë se edhe përfaqësuesve të tifogrupit u ishte premtuar shlyerja e një detyrimi që lidhet me organizimin e tyre të brendshëm.
“Po ashtu, përfaqësuesve të tifogrupit “Forca” u është premtuar shlyerja e një detyrimi që lidhet me organizimin e tyre të brendshëm. Pavarësisht këtyre zotimeve, lojtarët nuk pranuan të luanin në ndeshjen e sotme, duke e vënë klubin në një situatë të vështirë dhe duke rrezikuar humbjen e ndeshjes në tavolinë.”
Në reagim, FC Vushtrria ka theksuar se ka qenë ndër klubet me më pak vonesa në përmbushjen e obligimeve ndaj lojtarëve, ndërsa ka pranuar se pagesat duhet të kryhen me kohë.
“FC Vushtrria ka qenë ndër klubet me më së paku vonesa në përmbushjen e obligimeve ndaj lojtarëve. Jemi të vetëdijshëm se këto obligime duhet të përmbushen me kohë dhe po punojmë që situata të tilla të mos përsëriten.”
Klubi ka vlerësuar gjithashtu se kompletimi i dokumentacionit të sponsorizimit përbën një hap të rëndësishëm për stabilitetin financiar dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij.
Sa i përket bojkotit, bordi ka paralajmëruar se rasti do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me rregulloret e brendshme të klubit dhe legjislacionin në fuqi.
“Megjithatë, bojkoti i ndeshjes së sotme dhe pasojat që mund të ketë për klubin janë shqetësuese. Bordi do ta trajtojë këtë çështje me seriozitet, në përputhje me rregulloret e brendshme të klubit dhe legjislacionin në fuqi, duke vlerësuar përgjegjësitë dhe rrethanat e krijuara.”
Në fund, FC Vushtrria ka përsëritur qëndrimin se problemet e brendshme duhet të zgjidhen përmes komunikimit dhe përgjegjësisë së përbashkët, duke e mbyllur reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë.
“Klubi nuk shantazhohet nga askush”, thuhet në mesazhin e publikuar nga FC Vushtrria.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali