Stevie Wonder kërkon largimin e ish-të fejuarës nga shtëpia e tij, ajo i përgjigjet ashpër: Më lër rehat!

Stevie Wonder kërkon largimin e ish-të fejuarës nga shtëpia e tij, ajo i përgjigjet ashpër: Më lër rehat!

Written by

in

Legjenda e muzikës, Stevie Wonder, ka nisur procedurat ligjore për të larguar nga shtëpia e tij një grua që, sipas padisë, jeton prej gati 40 vjetësh aty pa paguar qira.

Avokatët e këngëtarit të njohur, i cili aktualisht është në turne në Evropë, kanë dorëzuar të enjten e kaluar një padi në gjykatën e Los Angelesit kundër Carmen Efferson. Ata kërkojnë që ajo të lirojë shtëpinë me tri dhoma gjumi në zonën e Hollywood Hills.

Efferson, e cila raportohet se ka qenë e fejuara e Wonder, jeton në këtë pronë që nga viti 1988. Sipas padisë, në atë kohë ajo kishte arritur një marrëveshje gojore me këngëtarin, sipas së cilës mund të jetonte aty pa paguar qira.

Problemet nisën në korrik, kur përfaqësuesit e Wonder tentuan tri herë të inspektonin shtëpinë, në mënyrë që të mund të rinovonin policën e sigurimit. Megjithatë, Efferson nuk i lejoi të hynin në asnjërën prej këtyre rasteve.

Në vend të kësaj, ajo i dërgoi një email avokatit të këngëtarit, David Huff, në të cilin, sipas dokumenteve të bashkëngjitura padisë, i shkroi: “Ik pirdhu, më lër rehat njëherë e mirë”.

Foto: EPA

Pasi asaj iu dërgua me postë rekomande një kërkesë e re për inspektimin e pronës, Efferson iu përgjigj sërish Huffit me një mesazh të ashpër.

“Me tonin tënd racist, të ftohtë dhe prej një burri të bardhë të privilegjuar… ndihem sikur po më ngacmon. Sa u përket kërkesave të tua për të hyrë në hapësirën ku jetoj, nuk jap pëlqimin tim. Mos tento të më kontaktosh më”, shkroi ajo.

Huff iu përgjigj duke sqaruar se letrën në fjalë nuk e kishte shkruar ai, por kolegia e tij nga zyra ligjore, Tempestt Tatum, e cila, sipas tij, “nuk është as raciste, as e ftohtë, as e bardhë dhe as burrë”.

Pas disa shkëmbimeve të tjera të email-eve, një tjetër avokat i Wonderit e njoftoi Efferson se marrëveshja e tyre gojore, e cila kishte zgjatur për dekada, po ndërpritej për shkak se ajo nuk i kishte respektuar kushtet e saj.

Ajo u njoftua se duhej të largohej nga shtëpia deri më 27 gusht 2026, por nuk e bëri këtë.

Për këtë arsye, avokatët e këngëtarit paraqitën padinë të enjten e kaluar. Wonder tani kërkon që gjykata të urdhërojë largimin e Efferson nga prona në Hollywood Hills, si dhe t’i paguajë 600 dollarë dëmshpërblim për shpenzimet e shkaktuara pasi polica e sigurimit nuk u rinovua në kohë. /Telegrafi/