Organizata “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” ka njoftuar se është pastruar deponia e mbeturinave në lagjen Emshir të Prishtinës, falë angazhimit të vullnetarëve dhe bashkëpunimit me Ndërmarrjen Publike Rajonale KRM “Pastrimi”.
Përmes një postimi në Facebook, organizata ka bërë të ditur se aksioni ka përmirësuar gjendjen e hapësirës, ndërsa ka falënderuar të gjithë vullnetarët për kontributin e tyre dhe KRM “Pastrimi” për ndihmën e ofruar.
“Ta mbajmë Emshirin të pastër!”, thuhet në mesazhin e organizatës, e cila u ka bërë thirrje banorëve që të kujdesen për hapësirën e pastruar dhe të mos lejojnë që ajo të shndërrohet sërish në deponi mbeturinash.
Njëkohësisht, organizata i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të angazhohet për mirëmbajtjen e vazhdueshme të kësaj hapësire dhe të ndërmarrë masa për parandalimin e hedhjes së mbeturinave në të ardhmen.
“Ne e pastruam, tani ta mbajmë të pastër!”, thuhet në mesazhin përmbyllës të organizatës, e cila thekson rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për ruajtjen e mjedisit. /Telegrafi/