Bie ndjeshëm numri i kërkesave për azil në BE

Bie ndjeshëm numri i kërkesave për azil në BE

Written by

in

Numri i kërkesave për azil në Bashkimin Evropian ka shënuar rënie të ndjeshme.

Gjatë korrikut, 34.145 persona paraqitën për herë të parë kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare, rreth 39 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 55.680 kërkesa.

Sipas të dhënave të Eurostatit, rënia u regjistrua edhe krahasuar me muajin qershor, kur numri i kërkesave ishte tetë për qind më i lartë.

Pavarësisht rënies së përgjithshme, dallimet mes shteteve anëtare të BE-së mbeten të mëdha.

Franca regjistroi numrin më të lartë të kërkesave për azil, me 9.000, e ndjekur nga Italia me 5.140, Greqia me 3.715, Spanja me 3.590 dhe Gjermania me 3.075.

Këto pesë shtete pranuan së bashku rreth 72 për qind të të gjitha kërkesave të para për azil të regjistruara në BE gjatë korrikut.

Në raport me numrin e banorëve, Sllovenia u dallua dukshëm nga vendet e tjera. Ajo regjistroi 114,7 azilkërkues për çdo 100 mijë banorë, shumë më tepër se mesatarja e BE-së, e cila ishte 7,6.

Pas Sllovenisë u renditën Greqia me 35,8 dhe Luksemburgu me 16,6 kërkesa për çdo 100 mijë banorë.

Sa u përket vendeve të origjinës, shtetasit e Afganistanit kryesuan listën me 3.100 kërkesa për azil. Pas tyre u renditën shtetasit e Sudanit me 2.605 kërkesa, Bangladeshit me 2.255 dhe Sirisë me 1.420.

Ndërkohë, gjatë korrikut u regjistruan edhe 1.290 kërkesa të para për azil nga të mitur të pashoqëruar nga prindërit ose kujdestarët e tyre.

Numri më i madh i këtyre kërkesave u regjistrua në Slloveni, me 265, e ndjekur nga Greqia me 245 dhe Holanda me 210.

Eurostati bëri të ditur se të dhënat e fundit përfshijnë ndryshime metodologjike të lidhura me zbatimin e Paktit të BE-së për Migracionin dhe Azilin, i cili nisi të zbatohej në qershor të vitit 2026.

Statistikat tregojnë se, ndonëse numri i kërkesave për azil në BE po bie, disa shtete vazhdojnë të përballen me presion më të madh të migrantëve në raport me popullsinë e tyre. /Telegrafi/