
Qeveria italiane ka ashpërsuar masat kundër protestave të dhunshme, ndërsa Milano pritet të jetë në qendër të zbatimit të rregullave të reja, pas trazirave të regjistruara fundjavën e kaluar.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka ndërmarrë hapa për rritjen e dënimeve ndaj personave që përfshihen në akte dhune, pasi protestuesit, mes tyre edhe shumë adoleshentë, dëmtuan dyqane e vetura dhe plaçkitën biznese, raporton BBC.
Në kuadër të masave të reja, 500 ushtarë do të angazhohen në Milano për të mbështetur policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
“Protestimi është e drejtë, shkatërrimi i qyteteve tona nuk është”, deklaroi Meloni.
Legjislacioni i ri parasheh krijimin e një vepre të veçantë penale për pjesëmarrjen e dhunshme në protesta. Hedhja e mjeteve piroteknike ose e gurëve mund të dënohet me deri në pesë vjet burgim.
Masat përfshijnë edhe të rinjtë e moshës 14 deri në 18 vjeç, të cilët mund të mbajnë përgjegjësi penale. Po ashtu, policia mund t’i ndalojë paraprakisht nëse dyshon se paraqesin rrezik.
Një tjetër masë është parimi “e thyen, e paguan”, sipas të cilit personat që dëmtojnë pronën publike ose private mund të detyrohen të kompensojnë dëmet. Kjo vlen edhe për dëmtimin e stacioneve të autobusëve, dyqaneve dhe pronave të tjera. Në rastet kur dëmtuesit janë të mitur, fatura mund t’u dërgohet prindërve të tyre.
Gjatë prezantimit të masave, Meloni pranoi se shumë të rinj përballen me vështirësi në gjetjen e punës dhe sigurimin e pagave të mira, por theksoi se këto probleme nuk mund të arsyetojnë aktet e dhunës.
“Vështirësitë nuk mund të jenë arsyetim për dhunën”, deklaroi kryeministrja italiane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali