Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë mandatit të kaluar buxheti i ushtrisë është trefishuar, ndërsa në Forcën e Sigurisë së Kosovës janë rekrutuar 3 mijë e 220 ushtarë të rinj, duke rritur më shumë se dyfish numrin e pjesëtarëve.
Qeveria ka bërë të ditur se një gjeneratë tjetër do të nisë trajnimin gjatë këtij viti, me ç’rast synohet përshpejtimi i realizimit të objektivave strategjike të FSK-së.
Në njoftim thuhet se janë realizuar blerje të armatimit në vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetja ajrore, sipas Qeverisë, përfshin dronët Bayraktar dhe SkyDagger, ndërsa nga toka FSK-ja disponon mbi 40 lloje të armatimit të rëndë dhe të lehtë.
“Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë pjesë e NATO-s”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Burimi: RTKLive
