Ndeshja u karakterizua nga rivaliteti i madh dhe emocione të shumta deri në sekondat e fundit, kur skuadra gjakovare pati mundësinë për ta përmbysur rezultatin, por nuk arriti ta shfrytëzonte rastin vendimtar.
Vëllaznimi u afrua në vetëm një pikë diferencë pas dy gjuajtjeve të lira të realizuara nga Kentrell Pullian, duke e bërë përmbylljen e takimit edhe më dramatike.
Dy sekonda para fundit, Meriton Ismaili tentoi të shënonte për tri pikë, me synimin për t’ia siguruar fitoren Vëllaznimit, por gjuajtja e tij nuk përfundoi në kosh. Kështu, Rahoveci 029 arriti ta ruante epërsinë minimale dhe të festonte një fitore të rëndësishme para tifozëve të tij.
Pjesa e parë ishte mjaft e baraspeshuar, ndërsa Vëllaznimi shkoi në pushim me një pikë epërsi, 51:50. Edhe pas rikthimit në parket, të dyja skuadrat vazhduan të zhvillonin lojë të fortë dhe të barabartë, por në fund vendosi qetësia e vendasve në momentet vendimtare.
Lojtari më i dalluar te Rahoveci 029 ishte Mika Adams, i cili realizoi 37 pikë, duke shtuar edhe shtatë kërcime e gjashtë asistime. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Kareem Rozier me 29 pikë, tri kërcime dhe tri asistime.
Në anën tjetër, te Vëllaznimi u dallua Kentrell Pullian, i cili e përfundoi ndeshjen me 29 pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen.
Me këtë rezultat, Rahoveci 029 regjistroi fitoren e dytë radhazi, ndërsa Vëllaznimi pësoi humbjen e tretë njëra pas tjetrës.
Burimi: RTKLive
