Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet do të nisin që në orët e para të ditës, fillimisht përgjatë vijës bregdetare, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.
Në orët e para të mëngjesit priten reshje me intensitet të ulët, ndërsa në zona të caktuara mund të ketë shtrëngata afatshkurtra. Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë në pjesën më të madhe të territorit, me ndërprerje të përkohshme, ndërsa pas orëve të pasdites parashikohet ndërprerja e tyre në të gjithë vendin.
Gjatë reshjeve mund të shfaqet mjegullinë dhe të ketë ulje të shikueshmërisë. Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim–jugperëndim, me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit dhe në zonat luginore mund të arrijë deri në 10 m/s.
Temperaturat në qytetet kryesore të vendit do të luhaten nga 8°C në vlerat minimale deri në 22°C në ato maksimale. Temperaturat më të ulëta priten në Korçë dhe Dibër, ndërsa vlera më e lartë parashikohet në Berat.
Në Tiranë temperaturat do të variojnë nga 15°C në 21°C, në Durrës nga 13°C në 20°C, në Vlorë dhe Sarandë nga 15°C në 20°C, ndërsa në Shkodër nga 13°C në 20°C. Në Kukës termometri pritet të shënojë 9°C deri në 18°C, ndërsa në Gjirokastër 10°C deri në 19°C.
Përmirësimi i kushteve atmosferike pritet pasditen e së dielës, kur reshjet e shiut do të ndërpriten gradualisht në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Burimi: RTKLive
