Vendvotimet në Serbi janë hapur të dielën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku 6.45 milionë qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur 250 deputetët e Kuvendit.
Në garë janë 18 lista zgjedhore me mbi 2,400 kandidatë, ndërsa votimi po zhvillohet në afro 8,400 vendvotime.
Procesi zgjedhor po monitorohet nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
Partia Progresive Serbe (SNS), e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, synon të ruajë ndikimin në pushtet, ndërsa sfidë paraqet edhe lista e mbështetur nga studentët, të cilët prej muajsh po protestojnë duke kërkuar përgjegjësi dhe reforma institucionale.
Për të siguruar shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë, një parti ose koalicion duhet të fitojë të paktën 126 nga 250 ulëset në Kuvend.
Zgjedhjet mbahen në një periudhë tensionesh politike dhe debatesh për integrimin evropian të Serbisë, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, si dhe raportet me Kosovën.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi u mbajtën në dhjetor të vitit 2023. /Telegrafi/