
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që u plagos rëndë në sy gjatë protestës në Shqipëri kundër kryeministrit Edi Rama, do të ketë mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për trajtimin dhe rikuperimin e tij.
Vishkulli, pjesë e grupimit “Tifozët Kuqezi”, u godit nga plumbat e gomës të policisë gjatë protestës, ndërsa një ditë më parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Për rastin ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka shprehur solidaritet me të riun dhe familjen e tij, duke bërë të ditur se federata është e gatshme të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin e tij.
“Më ka prekur thellë plagosja e rëndë e Erjon Vishkullit. Në këtë moment të vështirë, i shpreh Erjonit dhe familjes së tij afërsinë dhe solidaritetin tim. Federata Shqiptare e Futbollit është e gatshme të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin dhe rikuperimin e tij, në koordinim me familjen”, ka shkruar Duka.
Ai ka theksuar se Vishkulli ka qenë gjithmonë pranë Kombëtares shqiptare me pasion dhe përkushtim, duke i uruar shërim sa më të shpejtë.
“Familja kuqezi është pranë tij”, ka përfunduar presidenti i FSHF-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali