
Pritje të gjata dhe kolona kilometrike automjetesh janë duke u regjistruar në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, ku pritjet kanë shkuar deri në katër orë.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), fluksi më i rënduar paraqitet në pikëkalimin e Jarinjës, ku pritjet në dalje arrijnë deri në 4 orë, teksa kolona e veturave arrin në 3.5 km, transmeton Klankosova.tv.
Edhe në hyrje të kësaj pike qytetarët po përballen me pritje deri në 3 orë.
Situatë e ngjashme është krijuar edhe në Merdarë, ku për të dalë nga territori i Kosovës pritjet zgjasin nga 90 deri në 120 minuta, me një kolonë automjetesh që arrin deri në 3 km.
Në hyrje të kësaj pike kalimi pritjet janë 30 deri në 40 minuta.
Fluks automjetesh raportohet edhe në pikat e tjera me Serbinë.
Këto pritje gjatë së dielës kanë ardhur si pasojë e zgjedhjeve në Serbi, me ç’rast qytetarë nga komuniteti serb në Kosovë kanë shkuar për të votuar.
Ndërkaq, në të gjitha pikat e tjera kufitare të Republikës së Kosovës me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi (përfshirë Vërmicën, Hanin e Elezit, Kullën dhe Glloboqicën), qarkullimi po zhvillohet normalisht dhe pa vonesa, me pritje prej 3 deri në 5 minuta.