Pas ndeshjes, sulmuesi francez ia dedikoi festimin kapitenit Lautaro Martnez dhe shprehu dëshirën që një futbollist francez ta fitojë “Topin e Artë”.
Interi triumfoi 2-1 ndaj Fiorentinës në javën e nëntë të Serie A, falë përmbysjes së realizuar në minutat e fundit. Thuram ishte një nga figurat kryesore të kësaj fitoreje, duke shënuar në minutën e 90-të, përpara se të fitonte penalltinë që Piotr Zielinski e shndërroi në gol në minutën e 97-të.
Pas përfundimit të takimit, francezi foli për “DAZN”, duke theksuar besimin që ekziston brenda skuadrës zikaltër.
“Ekziston besimi te një ekip që e di se mund t’i fitojë ndeshjet edhe në minutat e fundit. Sa herë që zbresim në fushë, e dimë se ndeshja do të jetë e gjatë”, deklaroi Thuram.
Sulmuesi festoi golin e barazimit duke imituar mënyrën e festimit të kapitenit Lautaro Martinez, i cili aktualisht është jashtë fushave për shkak të një lëndimi.
“Po, zakonisht është ai që shënon në minutën e 90-të”, tha Thuram me buzëqeshje, duke iu referuar sulmuesit argjentinas.
Francezi u ndal edhe te vështirësitë që ka pasur në disa raste për të fituar penallti. Në ndeshjen e kaluar ndaj Bolognës, ai ishte ndëshkuar me karton të verdhë për simulim, por sipas tij, pamjet e përsëritura kishin treguar se duhej të jepej penallti.
“Është e çuditshme, sepse sa herë jam në fushë, duket sikur gjyqtari mendon se po simuloj. Më pas e pashë përsëritjen e rastit ndaj Bolognës dhe dëgjova se ishte penallti. Gabime mund të ndodhin”, u shpreh ai.
Thuram shtoi se do të vazhdojë të sfidojë mbrojtësit kundërshtarë dhe të kërkojë hapësira brenda zonës, me shpresën që rastet e tilla të gjykohen drejt.
Në fund, sulmuesi i Interit foli edhe për garën për çmimin individual më prestigjioz në futbollin botëror, “Topin e Artë”, duke shprehur dëshirën që fituesi të jetë një bashkëkombës i tij.
“Shpresoj që një francez ta fitojë. Kylian Mbappe, Ousmane Dembele, Michael Olise. Kemi shumë lojtarë të talentuar që mund ta fitojnë dhe shpresoj që çmimi të shkojë te një francez”, përfundoi Thuram.
Burimi: RTKLive
