Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 22 tetor në Shën Stefan, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka falënderuar Spajiqin për mikpritjen dhe për kryesimin e Procesit të Berlinit gjatë këtij viti, si dhe e ka përgëzuar për përparimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Kurti ka theksuar se Kosova dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë dhe ndajnë përkushtimin për progres demokratik.
Ai ka thënë se Kosova është e interesuar të mësojë nga përvoja e Malit të Zi në rrugën drejt BE-së, ndërsa pret marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht përmes përmirësimit të ndërlidhjes infrastrukturore tokësore mes dy vendeve.
Burimi: Dukagjini
