
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përmbyllur pjesëmarrjen në Samitin e Procesit të Berlinit në Shën Stefan me një takim dypalësh me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë kosovare bëri të ditur se ka falënderuar Spajiqin për mikpritjen dhe udhëheqjen e këtij procesi përgjatë këtij viti, duke e përgëzuar njëherësh për hapat e ndërmarrë nga Mali i Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Klankosova.tv.
Kurti vlerësoi marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy vendeve dhe theksoi përkushtimin e përbashkët për zhvillim demokratik.
“Kosova dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë dhe kanë të përbashkët hovin e progresit demokratik, siç tregojnë shpesh edhe vlerësimet ndërkombëtare. Mali i Zi është më pranë anëtarësimit në BE dhe jemi të interesuar të mësojmë nga përvoja e tij, teksa Kosova pret statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka shkruar Kurti.
Përveç rrugës integruese evropiane, të dy kryeministrat kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në ndërlidhjen më të mirë mes dy vendeve përmes projekteve të përbashkëta në infrastrukturën tokësore.