Partia Demokratike Evropiane (Democrats) ka lëshuar një deklaratë urgjente, duke paralajmëruar për rrezikun e provokimeve dhe përplasjeve të mundshme në Serbi, në kohën kur pritet të publikohen projeksionet e para të rezultateve zgjedhore.
Në deklaratë thuhet se kjo parti ka marrë vazhdimisht paralajmërime se persona të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq mund të mobilizohen për të nxitur përplasje rreth orës 21:00.
Sipas Democrats, studentët kërkojnë zgjedhje të lira dhe paqësore, si dhe rezultate që përcaktohen nga vota e qytetarëve. Partia vlerëson se pjesëmarrja më e lartë në zgjedhje mund të shtojë frikën e Vuçiqit nga humbja dhe, rrjedhimisht, rrezikun e provokimeve të qëllimshme.
Në reagim, kjo parti ia atribuon Vuçiqit dhe qeverisë së tij përgjegjësinë politike për parandalimin e çdo përshkallëzimi të mundshëm të situatës.
Democrats ka kërkuar gjithashtu mbrojtje të menjëhershme policore për votuesit, kandidatët, studentët dhe vëzhguesit zgjedhorë, duke theksuar se e ardhmja e Serbisë duhet të përcaktohet përmes votës dhe jo dhunës.
Deklaratat për mobilizim të grupeve të lidhura me SNS-në dhe rrezikun e përplasjeve janë pretendime të paraqitura nga vetë Partia Demokratike Evropiane.
Burimi: Dukagjini
