Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë votuar për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Serbisë. Përmes një liste të përbashkët zgjedhore, përfaqësuesit shqiptarë synojnë të forcojnë zërin e tyre në institucionet shtetërore të Serbisë dhe të sigurojnë përfaqësim më të fuqishëm të banorëve të Luginës së Preshevës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë të 25 tetorit i bënë bashkë sërish të gjitha partitë politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci e Medvegja.
Qytetarët që dolën të votonin deklaruan se presin nga përfaqësuesit politikë që t’i mbrojnë të drejtat e tyre dhe të çojnë përpara kërkesat e komunitetit shqiptar.
“Duhet të jemi sa më të bashkuar dhe të dalim sa më shumë në këto zgjedhje, pasi Serbisë nuk i konvenon kjo dhe duhet të jemi sa më të organizuar”, ka thënë një qytetar.
“Besoj se do të ketë kyçje në legjislaturën e re dhe pres nga deputetët të ngrenë shumë nga çështjet, si pasivizimi dhe kyçja e shqiptarëve në organet shtetërore”.
“Me koalicionin e përbashkët besoj që kanë me u vetëdijesuar më shumë dhe kanë me pas përkrahje më të madhe prej popullit”.
Thirrje për mbështetje nga qytetarët gjatë ditës ka bërë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, e gjithashtu edhe të Sanxhakut, që të dalin sa më masovikisht dhe të mbështesin listën me të cilën do të dëgjohet zëri i shqiptarëve në parlament”, ka thënë Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të Kosovës dhe mungesa e investimeve në komunat e banuara me shqiptarë vazhdojnë të jenë ndër shqetësimet kryesore të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Burimi: RTKLive
