Arlinda Zekaj kërkoi drejtësi vetëm tri ditë para se t’i merrej jeta. Sot, pyetja që rëndon mbi institucionet është: a u dëgjua zëri i saj kur ende mund të bëhej diçka për ta mbrojtur?
Arlinda Zekaj u vra mbrëmë rreh orës 21:10 në Vitomiricë të Pejës.
Sipas informacioneve të bëra publike, i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili raportohet se ndodhet ende në arrati.
Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
Por ajo që e bën këtë rast edhe më tronditës është fakti se Arlinda, vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë.
Përmes saj, ajo kishte kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Ajo kishte kërkuar ndërhyrje. Kishte kërkuar përgjegjësi. Kishte kërkuar që dikush ta merrte seriozisht atë që po ngrinte si shqetësim.
Dhe vetëm tri ditë më vonë, ajo nuk jeton më. /Telegrafi/