Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, rikthehet në atdhe

Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, rikthehet në atdhe

Written by

in

Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, është kthyer në atdhe pas më shumë se 10 muajsh në mërgim, në një klimë të tensionuar politike.

“Jam këtu. Me ju”, shkroi Machado të dielën në rrjetin social X. Rikthimi i saj vjen pas disa përpjekjeve të mëparshme për t’u kthyer në vend, të cilat kishin dështuar.

Në janar, një muaj pasi Machado u largua nga Venezuela me një skaf, nën mbulesën e errësirës, për të marrë Çmimin Nobel për Paqe në Norvegji, Shtetet e Bashkuara arrestuan presidentin Nicolás Maduro, kundërshtarin e saj politik, raporton BBC.

Më pas, administrata e Donald Trump mbështeti zëvendësen e Maduros, Delcy Rodríguez, e cila u betua si presidente e përkohshme. Më vonë, ajo nënshkroi një marrëveshje për naftën, që i siguroi SHBA-së kushte shumë të favorshme.

Të dielën, Machado u fotografua duke marrë pjesë në meshë në një kishë në shtetin Lara të Venezuelës, ku u prit nga mbështetës që e përqafonin dhe ia shtrëngonin duart.

Më pas, ajo u nis drejt kryeqytetit, Karakas, e shoqëruar nga një kolonë automjetesh me mbështetës që brohorisnin në shenjë përkrahjeje. Shumë të tjerë dolën përgjatë rrugës për ta përshëndetur.

Machado u fotografua duke buzëqeshur dhe duke dalë nga çatia e hapur e një makine, teksa mbërriti në Karakas të dielën vonë në mbrëmje.

“Natë ribashkimi në Karakasin tonë. Për ribashkimin e çdo familjeje, për lirinë e çdo të burgosuri politik dhe për lirinë e Venezuelës”, shkroi ajo në X.

Burimi: Dukagjini