
Një gjykatë federale e apelit në SHBA ka shprehur dyshime për padinë e Departamentit të Drejtësisë kundër Kalifornisë, përmes së cilës administrata e Donald Trump kërkon të përjashtojë mijëra fletëvotime me postë, që sipas saj mund t’u jenë dërguar personave pa shtetësi amerikane.
Gjatë seancës së së dielës, gjyqtari Mark Bennett vuri në pikëpyetje bazën ligjore të kërkesës, duke theksuar se Kushtetuta amerikane u jep shteteve kompetencën për administrimin e zgjedhjeve.
Padia, e paraqitur më 15 tetor, bazohet në një listë me rreth 20 mijë emra, të cilët administrata federale i konsideron të papërshtatshëm për të votuar për shkak të shtetësisë së tyre.
Çështja vjen pak ditë para zgjedhjeve të mesmandatit, më 3 nëntor, të cilat do të përcaktojnë kontrollin mbi Kongresin amerikan dhe poste të rëndësishme shtetërore e lokale.
Autoritetet e Kalifornisë i kanë kundërshtuar pretendimet e administratës Trump, duke deklaruar se shteti ka masa mbrojtëse për të parandaluar votimin nga personat që nuk plotësojnë kriteret ligjore. Guvernatori Gavin Newsom e ka cilësuar padinë si përpjekje për të kufizuar pjesëmarrjen e votuesve.
Gjykata pritet të marrë një vendim sa më shpejt, ndërsa mbetet e paqartë nëse kërkesa e administratës federale do të pranohet.