Vizita e planifikuar e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Bruksel këtë javë, për bisedime të nivelit të lartë me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, raportohet se është anuluar për shkak të ndryshimeve në planet e palës amerikane.
Këshilltari për komunikim i Zelenskyyt, Dmytro Lytvyn, deklaroi të hënën se pala ukrainase nuk mund ta konfirmojë më vizitën. Takimi ishte planifikuar të mbahej më 27 ose 28 tetor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ukrainës, SHBA-së dhe BE-së, si dhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Komisioni Evropian konfirmoi se vazhdon të marrë pjesë në përpjekjet diplomatike me aleatët dhe partnerët për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, por nuk dha detaje të tjera për takimin, raporton euronews.
Bisedimet në Bruksel ishte planifikuar të pasonin takimet diplomatike në Oslo, ku Zelenskyy zhvilloi diskutime me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në prani të liderëve evropianë. Në fokus të diskutimeve ishin garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe roli i Bashkimit Evropian në procesin e paqes.
Ndërkohë, Zelenskyy bëri të ditur se një raund tjetër negociatash mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë po planifikohet për gjysmën e parë të nëntorit. Abu Dhabi është përmendur si një vend i mundshëm për zhvillimin e tyre, por data dhe lokacioni ende nuk janë konfirmuar.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur arsyeja e saktë e ndryshimeve në planet amerikane, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje vazhdojnë.
Burimi: Dukagjini
