Forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë të gatshme të nisin operacione të reja ushtarake, potencialisht në shkallë të gjerë, kundër Iranit brenda 96 orëve nga marrja e një urdhri nga presidenti Donald Trump, sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga CNN.
Sipas burimeve, në rajon tashmë janë dislokuar forca të mjaftueshme për të realizuar sulmet e mundshme. Operacionet e reja pritet të shkojnë përtej goditjeve të kufizuara ndaj radarëve, sistemeve të lëshimit të raketave dhe objektivave të tjera iraniane që mund të rindërtohen shpejt, siç ka ndodhur që kur Trump pezulloi operacionet e plota luftarake në fillim të këtij viti.
“Do të jetë një operacion i madh”, tha një nga zyrtarët për CNN. Edhe zyrtarë të tjerë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, të njohur me diskutimet e brendshme ushtarake, kanë shprehur mendimin se çështja mund të jetë më shumë se kur do të jepet urdhri për sulm, sesa nëse ai do të jepet. Sipas tyre, vendimi mund të merret para fundit të vitit, por më shumë gjasa pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Megjithatë, zyrtarët theksojnë se Trump ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar. Ata kujtojnë se në të kaluarën presidenti ka shfaqur prirje drejt veprimeve të caktuara ushtarake, por më pas është tërhequr në momentin e fundit. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte raportimin.
Një zyrtar i lartë i Pentagonit deklaroi se detyra e Departamentit të Mbrojtjes është të planifikojë dhe të zbatojë opsionet ushtarake që urdhërohen nga presidenti, transmeton Telegrafi.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) dhe Pentagoni kanë hartuar një listë të gjerë objektivash të mundshëm, ku përfshihen infrastruktura energjetike e Iranit, instalimet ushtarake dhe objektet bërthamore. Sfidë për ushtrinë amerikane mbetet fakti se forcat iraniane tashmë i njohin më mirë taktikat e SHBA-së, çka mund ta vështirësojë shkatërrimin e të gjitha objektivave të planifikuara.
Vlerësimet e fundit të inteligjencës amerikane tregojnë se Irani dhe rebelët Huthi në Jemen po e marrin seriozisht mundësinë e rifillimit të sulmeve nga SHBA-ja dhe, potencialisht, nga Izraeli. Sipas burimeve të CNN-it, në rast të një operacioni të ri amerikan dhe izraelit, Teherani dhe Huthit mund të kundërpërgjigjen menjëherë duke goditur personelin dhe objektet amerikane në rajon, e potencialisht edhe më gjerë.
Një memorandum i deklasifikuar i datës 23 tetor, nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, paralajmëronte se Irani ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për të shënjestruar personelin amerikan. Sipas dokumentit, planet për sulme kanë arritur faza të avancuara në Lindjen e Mesme dhe në disa vende të tjera.
Megjithatë, sipas vlerësimeve të inteligjencës, Irani dhe Huthit nuk pritet të ndërmarrin sulme përshkallëzuese parandaluese kundër personelit amerikan apo Izraelit në këtë fazë, por mund të reagojnë pa hezitim nëse Irani goditet i pari nga forcat amerikane ose izraelite.
Rreziku i përshkallëzimit është një nga arsyet pse SHBA-ja pritet të vazhdojë të tërheqë në heshtje personel nga ambasadat e saj në Lindjen e Mesme gjatë ditëve në vijim. Aktualisht, ambasada amerikane në Riad të Arabisë Saudite është i vetmi objekt diplomatik në rajon për të cilin është urdhëruar largimi i personelit, por burimet thonë se masa të ngjashme mund të vendosen edhe për ambasada të tjera. Në objektet ku nuk do të urdhërohet largimi, numri i punonjësve pritet të kufizohet.
Gjithashtu, personeli ushtarak amerikan jo i domosdoshëm, i cili pritej të dërgohej në rajon si pjesë e rotacionit të ardhshëm të trupave, është njoftuar se nuk do të dislokohet më.
Ndërkohë, admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM-it, vizitoi të dielën Ngushticën e Hormuzit, ku ushtria amerikane po vazhdon bllokadën ndaj porteve iraniane dhe po ndihmon lëvizjen e anijeve tregtare. Gjatë vizitës me helikopter, ai vëzhgoi situatën operacionale dhe u takua me ushtarët që kanë pastruar rrugën detare nga minat iraniane.
Cooper tha se SHBA-ja vazhdon të qëndrojë përkrah partnerëve të saj në Gjirin Persik dhe industrisë së transportit detar, duke theksuar angazhimin për garantimin e lirisë së lundrimit në këtë korridor strategjik.
Megjithëse numri i cisternave që kalojnë nëpër ngushticë është rritur, çmimet e naftës mbeten të larta, pjesërisht për shkak të frikës nga sulmet e mundshme iraniane. Një zyrtar amerikan e cilësoi situatën aktuale në Hormuz si të paqëndrueshme në planin afatgjatë, duke shtuar se, në mungesë të një përparimi diplomatik në momentin e fundit, kjo mund të jetë një nga arsyet që Trump të zgjedhë veprimin ushtarak.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ushtruar presion për ndërmarrjen e sulmeve të reja kundër Iranit, por zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar të presë derisa administrata Trump të jetë gati për operacione të përbashkëta, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një burimi të sigurisë izraelite.
“Netanyahu donte vërtet dhe u përpoq ta bindte Trumpin për një sulm të përbashkët ndaj Iranit para zgjedhjeve, por Trumpi nuk dha miratimin”, tha burimi izraelit për CNN. Zyra e kryeministrit izraelit e cilësoi këtë raportim si “lajm të rremë”.
Sipas të njëjtit burim, një nga arsyet pse Trumpi nuk dha dritën jeshile ishte paralajmërimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ndaj gjeneralit amerikan Dan Caine, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit. Zamir thuhet se kishte argumentuar se sulmet mund të ndikonin në zgjedhjet izraelite dhe të çonin në shtyrjen e tyre.
Televizioni izraelit Channel 12 raportoi të dielën për një përplasje të paprecedentë mes Zamirit dhe Netanyahut, më pak se 48 orë para votimit të së martës. Sipas raportimit, Zamiri kishte marrë një udhëzim nga udhëheqja politike lidhur me Iranin, por kërkoi diskutim të hollësishëm dhe autorizime ligjore para zbatimit, nga frika se një veprim i tillë mund të shkaktonte llogaritje të gabuara dhe të nxiste menjëherë një konflikt të drejtpërdrejtë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cilësoi këto raportime si “krejtësisht të pabazuara dhe të rreme”.
Sipas një burimi tjetër të informuar për çështjen, Izraeli ishte përgatitur gjatë javës së fundit për mundësinë e sulmeve shtesë ndaj Iranit dhe kishte lobuar te zyrtarët amerikanë që t’i mbështesnin ato. Megjithatë, zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë Trumpin, i kërkuan Izraelit të përmbahej, duke lënë të kuptohej se të dy vendet mund të ndërmarrin operacione të përbashkëta në të ardhmen e afërt.
Burimet thonë se Izraeli duket se i ka shtyrë për momentin planet për sulme të reja, ndërsa po përgatitet për operacione të mundshme të përbashkëta me SHBA-në, me gjasë pas zgjedhjeve të ndërmjetme amerikane.
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në vendimin e Izraelit është nevoja për mbështetjen amerikane në mbrojtjen kundërajrore. Gjatë luftës, rezervat izraelite të municioneve mbrojtëse janë vënë nën presion dhe një sulm i ri mund të sillte kundërpërgjigje nga Irani dhe Huthit.
Sipas njërit prej burimeve të njohura me vlerësimet e inteligjencës amerikane, Netanyahu dhe aleatët e tij ende nuk kanë një objektiv të qartë strategjik përtej demonstrimit të një lloj “përparimi” dhe vazhdimit të dobësimit të regjimit iranian.
Në një fjalim gjatë një ceremonie diplomimi të ushtrisë izraelite këtë javë, Netanyahu tha se udhëzimi i tij për ushtrinë, Mossadin dhe institucionet e tjera të sigurisë është rrëzimi i regjimit në Iran.
“Planet janë gati dhe presin miratimin e Trumpit. Kjo mund të ndodhë pas zgjedhjeve të ndërmjetme”, tha një nga burimet për CNN. /Telegrafi/