Hoxha: Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë

Hoxha: Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë

Written by

in

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kërkuar hetim, transparencë dhe përgjegjësi për çdo neglizhencë apo mosveprim institucional lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar ndihmë nga Prokuroria Themelore në Pejë para se të vritej.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Hoxha ka kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e Arlindës, duke thënë se ajo kishte raportuar frikën, dhunën dhe rrezikun që i kanosej, ndërsa shpresën e fundit për mbrojtje e kishte te shteti.

“Arlinda Zekaj para se t’i mbyllte sytë përgjithmonë, i kishte shkruar Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte treguar për frikën e saj, për dhunën dhe rrezikun që i kanosej. Ajo kishte thënë se shpresa e saj e fundit për mbrojtje ishte shteti”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka theksuar se rasti i Arlindës ngre pyetje për mënyrën se si institucionet reagojnë kur gratë kërkojnë ndihmë dhe për pasojat që mund të ketë mosveprimi në kohë.

“Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë atë”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Hoxha ka paralajmëruar se neglizhenca institucionale mund të ketë pasoja fatale, duke kërkuar që dhuna ndaj grave të trajtohet si çështje e sigurisë publike dhe jo si çështje private.

“Kur shteti nuk vepron, kur neglizhenca institucionale shndërrohet në dhunë institucionale dhe merr jetë… Edhe sa gra të tjera nuk duhet të jenë me ne, duhet të vriten që institucionet tona të kuptojnë se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, është alarm shtetëror”, ka deklaruar ajo.

Deputetja ka shtuar se ekzistenca e ligjeve dhe urdhrave mbrojtës nuk mjafton nëse ato nuk zbatohen në praktikë për të garantuar sigurinë e grave.

Sipas saj, pas vrasjes së Arlindës, nuk mjaftojnë ngushëllimet dhe dënimi publik i krimit, por nevojitet një hetim i plotë për të sqaruar nëse ka pasur neglizhencë apo mosveprim nga institucionet përgjegjëse.

“Prandaj, sot nuk mjaftojnë as ngushëllimet, dënimi i krimit, as fjalimet tona këtu nuk mjaftojnë. Duhet të ketë hetim, transparencë, përgjegjësi për çdo neglizhencë dhe mosveprim institucional”, ka shtuar Hoxha.

Burimi: Dukagjini