Ndahen grantet e Fondit të Sfidave Rajonale

Ndahen grantet e Fondit të Sfidave Rajonale

Written by

in

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në ceremoninë e Ndarjes së Granteve të Fondit të Sfidave Rajonale (RCF) në Kosovë, ku janë shpallur fituese pesë projekte në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, me vlerë të përgjithshme prej mbi dy milionë eurosh.

Në fjalën e tij, ministri Çeku shprehu mirënjohjen për Fondin e Sfidave Rajonale dhe qeverinë e Gjermanisë dhe atë Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, duke theksuar se, pas përpjekjeve për zgjerimin e qasjes në arsim, prioritet kryesor është ngritja e cilësisë dhe përafrimi i programeve arsimore me nevojat e tregut të punës.

Ai njoftoi se, Ministria e Arsimit ka nisur punën për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+, përmes së cilës synohet të përcaktohet drejtimi i reformave për dekadën e ardhshme. Arsimi dhe aftësimi profesional zënë një vend të rëndësishëm në Strategjinë e re, me synimin që të rinjtë të fitojnë profesione, të zhvillojnë aftësi praktike dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.

Ministri Çeku vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe bizneseve, duke theksuar se synim i Ministrisë është që përvojat e suksesshme të projekteve të mbështetura të bëhen pjesë e qëndrueshme e sistemit arsimor.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, theksoi rëndësinë e investimit dhe gatishmërinë e shtetit gjerman për të ndarë përvojën e saj në arsimin dhe aftësimin profesional. Ai vlerësoi se zhvillimi i këtij sistemi do ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ndërsa, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, theksoi nevojën që institucionet vendore ta udhëheqin dhe ta vazhdojnë procesin e reformave, bizneset të përfshihen aktivisht në aftësimin e të rinjve, ndërsa programet e trajnimit të përgatiten edhe për zhvillimet në inteligjencën artificiale.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se investimet në arsimin dhe aftësimin profesional kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Ai ka bërë të ditur se, përmes Qendrës për Arsim Dual, Oda Ekonomike e Kosovës ka ndërmjetësuar përfshirjen e më shumë se 2,500 nxënësve në biznese të ndryshme, në bashkëpunim me shkollat profesionale në disa komuna të Kosovës.

Pas katër thirrjeve, Fondi i Sfidave Rajonale ka mbështetur gjithsej 21 projekte në Kosovë, me rreth 9.8 milionë euro grante të alokuara. Sipas të dhënave të prezantuara në ceremoni, në këto projekte janë përfshirë 73 kompani partnere, të cilat, në bashkëpunim me institucionet arsimore, kanë zhvilluar 28 programe të trajnimit bashkëpunues, me synimin për të aftësuar afro 3 mijë studentë.

 

Burimi: RTKLive