Mjekët dhe profesionistët shqiptarë të shëndetësisë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani kanë kërkuar hetim të pavarur për raportimet mbi përdorimin joproporcional të forcës nga policia gjatë protestave në Shqipëri. Nismës i është përgjigjur edhe David McAllister, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili ka bërë të ditur se situata në Shqipëri do të diskutohet në komision gjatë nëntorit.
Një grup prej më shumë se 350 mjekësh, infermierësh dhe profesionistësh të tjerë shqiptarë të shëndetësisë, që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, i janë drejtuar me një peticion Bundestagut gjerman dhe deputetëve gjermanë në Parlamentin Evropian, duke shprehur shqetësimin për situatën politike në Shqipëri dhe raportimet për dhunë policore gjatë protestave.
Nisma është ndërmarrë nga lëvizja “Bluzat e Bardha për Ndryshim”, ndërsa peticioni u drejtohet institucioneve gjermane dhe përfaqësuesve të tyre në institucionet evropiane, me kërkesën që të reagojnë ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
Në letër, nënshkruesit kërkojnë një qëndrim publik në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore, si dhe një hetim të pavarur dhe transparent për pretendimet lidhur me përdorimin joproporcional të forcës nga policia dhe përdorimin e gazit lotsjellës gjatë protestave.
Sipas peticionit, prej më shumë se katër muajsh, mijëra qytetarë, përfshirë studentë dhe të rinj, kanë protestuar në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Profesionistët shëndetësorë u referohen raportimeve të organizatave për të drejtat e njeriut lidhur me përdorimin e forcës nga policia dhe hedhjen e gazit lotsjellës pa paralajmërim. Ata përmendin gjithashtu thirrjet e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë për hetim të shpejtë të këtyre pretendimeve.
Një tjetër shqetësim i ngritur në letër lidhet me raportimet për automjete të perceptuara si ambulanca, të cilat dyshohet se janë përdorur në mbështetje të operacioneve policore.
“Si mjekë, ne e dimë se çfarë dëmtimesh shkakton gazi lotsjellës, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ambulancat dhe personeli mjekësor duhet të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve, kurrë si pjesë e operacioneve policore”, thuhet në peticion.
Nënshkruesit kërkojnë gjithashtu garanci për ofrimin e kujdesit mjekësor të paanshëm për të gjithë të lënduarit, si dhe mbrojtje për personelin shëndetësor dhe gazetarët, transmeton Telegrafi.
Ata u bëjnë thirrje deputetëve gjermanë që çështjen ta përfshijnë në diskutimet për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht sa u përket sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore.
Në peticion theksohet se zhvillimet në Shqipëri i prekin drejtpërdrejt edhe shqiptarët që jetojnë në Gjermani, pasi familjarët e tyre ndodhen në vend, ndërsa shumë prej tyre janë shtetas gjermanë dhe kontribuojnë në sistemin shëndetësor atje.
“Evropa nuk mund ta mbrojë demokracinë vetëm përmes fjalimeve solemne. Vlerat evropiane nuk duhet të ndalen në kufijtë e Bashkimit Evropian. Shqipëria ka nevojë për një Evropë që sheh, dëgjon dhe kërkon përgjegjësi. Jo një herë, por tani”, thuhet në përfundim të letrës.
Dasho: Mbi 350 profesionistë iu bashkuan peticionit
Mjeku Erion Dasho, i cili jeton në Gjermani dhe është një nga nismëtarët e kësaj lëvizjeje, ka folur për peticionin në një intervistë për News 24, duke treguar se si nisi nisma dhe çfarë përgjigjeje morën nga përfaqësuesit evropianë.
Dasho tha se peticioni nisi nga lëvizja “Bluzat e Bardha për Ndryshim” dhe u mbështet nga më shumë se 350 mjekë, infermierë dhe profesionistë të tjerë të shëndetësisë.
“Ne shprehëm shqetësimin tonë për mënyrën se si ka reaguar policia, dhunën e policisë, faktin që ambulancat janë përdorur për të transportuar materiale policore, faktin që dhuna ishte joproporcionale dhe patëm dhunim të protestuesve, sidomos cenim të së drejtës së tyre për të protestuar”, ka deklaruar Dasho gjatë intervistës.
Ai tregoi se peticioni iu dërgua përfaqësuesve gjermanë më 20 tetor dhe se nismëtarët morën fillimisht përgjigje nga sekretaria e grupit parlamentar të eurodeputetëve gjermanë, e cila i njoftoi se peticioni u ishte shpërndarë deputetëve.
Sipas Dashos, më pas erdhi edhe përgjigjja nga David McAllister, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.
“Përgjigjja erdhi konfirmuese nga zoti McAllister. Ai konfirmoi se Parlamenti Evropian dhe eurodeputetët e ndjekin me shqetësim situatën në Shqipëri”, tha Dasho.
Ai shtoi se nismëtarët u befasuan pozitivisht nga shpejtësia e reagimit, duke theksuar se peticioni u dërgua në një kohë kur shqetësimi kryesor i profesionistëve shëndetësorë ishte siguria dhe shëndeti i protestuesve./Telegrafi/