Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën se si Policia e Kosovës i trajtoi rastet e raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.
Në një komunikatë për media, IPK-ja ka bërë të ditur se veprimet po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe kanë për qëllim verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.
“Këto veprime po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe kanë për qëllim verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.
Në kuadër të këtij procesi, IPK do të shqyrtojë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të secilit raportim, si dhe veprimet e ndërmarra apo eventualisht të mos ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës.
Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale, nëse konstatohen shkelje apo lëshime gjatë trajtimit të rasteve të raportuara.
IPK mbetet e përkushtuar që në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, në përputhje me mandatin ligjor dhe duke respektuar integritetin e procesit hetimor”, thuhet në njoftim.
Burimi: Dukagjini
